
Protesta kundër qeverisë është tensionuar pranë Ministrisë së Arsimit, ku mijëra të rinj dhe qytetarë janë grumbulluar këtë pasdite.
Disa protestues u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave dhe kanë ndezur tymuese, ndërsa më pas kanë nisur të hedhin gurë dhe copa pllakash në drejtim të efektivëve të policisë.
Përplasjet janë zgjeruar edhe në Rrugën e Durrësit, ku sipas raportimeve janë përdorur llastiqe për të qëlluar drejt policisë me gurë, vida dhe zara xhami. Forcat e rendit janë kundërpërgjigjur me ujë nga autoboti i pozicionuar pranë Ministrisë së Arsimit, ndërsa në zonë vijon prania e shtuar policore.
Përmes altoparlantëve, policia u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunës dhe të vijojnë tubimin në mënyrë paqësore, duke paralajmëruar ndërhyrje në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa protestuesit vijojnë të qëndrojnë në zonën përreth Ministrisë së Arsimit.