Flash

Protestat studentore në Tiranë, reagon Kurti: Një demokraci që humbet besimin e të rinjve e mbyt ndryshimin shoqëror

Lapsi.al 31 October 2026

Protestat studentore në Tiranë, reagon Kurti: Një demokraci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për protestat studentore në Shqipëri, duke vendosur theksin te pakënaqësitë e të rinjve dhe nevoja që ata të kenë besim te e ardhmja e tyre në vend.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti tha se studentët duhet të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet, të përfshihen në vendimmarrje dhe ta shohin shtetin si mbështetje.

“Një demokraci që humbet besimin e të rinjve e mbyt ripërtëritjen dhe ndryshimin shoqëror”, deklaroi ai.

Kurti u ndal edhe te përplasjet që kanë shoqëruar protestat në Tiranë. Sipas tij, dhuna dhe lëndimet e qytetarëve janë shqetësuese, por krahas përcaktimit të përgjegjësive penale duhet të analizohen edhe shkaqet që çojnë në përshkallëzim.

“Nuk mjafton të përcaktohen vetëm përgjegjësit penalë të dhunës. Duhet të kuptohen edhe rrënjët e saj, kushtet që e ushqejnë dhe arsyet që i shndërrojnë kundërshtitë në përplasje. Rendi publik dhe liria e protestës duhet të mbrohen njëkohësisht”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës theksoi se zhvillimet në Shqipëri ndiqen me vëmendje në Prishtinë, por hodhi poshtë çdo ide për rivalitet mes dy vendeve.

“Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj”, u shpreh ai, duke përmendur mbështetjen për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe dëshirën për më shumë projekte të përbashkëta në ekonomi, arsim, infrastrukturë dhe mbrojtje.

Kurti iu përgjigj edhe zërave që kanë lidhur Lëvizjen Vetëvendosje me protestat në Shqipëri. Ai deklaroi se partia që drejton nuk ka rol në organizimin e tyre dhe se tashmë është një forcë qeverisëse, jo protestuese.

“Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonimë”, tha Kurti.

Ai shtoi se Vetëvendosje nuk ka përdorur dhe nuk mbështet taktika të fshehta politike apo instrumentalizimin e protestave, duke përdorur shprehjen se nuk e kanë konsideruar kurrë të denjë “hedhjen e gurit dhe fshehjen e dorës”.

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

90.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI