
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar tre materiale kallëzuese lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë protestave, përfshirë rastet e dëmtimit të dy të rinjve, me inicialet L.B. dhe M.S., si dhe veprime të tjera të kryera nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Në një reagim zyrtar, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë bën të ditur se po bashkëpunon me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për dokumentimin e rasteve të denoncuara gjatë protestave. Institucioni thekson se po ndjek në vijimësi situatën, me qëllim evidentimin e çdo rasti të mundshëm të shkeljes së ligjit dhe kryerjen e veprimeve përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Reagimi i plotë i Prokurorisë:
“Në përgjigje të kërkesës suaj për informacion, ju bëjmë me dije se nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, janë regjistruar 3 materiale kallëzuese lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë protestave. Materialet e regjistruara lidhen, ndër të tjera, me ngjarjet gjatë të cilave janë dëmtuar shtetasit L.B. dhe M.S., si dhe me veprime të tjera të kryera nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Prokuroria Tiranë, në koordinim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po ndjek në vijimësi situatën e krijuar, me qëllim dokumentimin e çdo rasti të mundshëm të shkeljes së ligjit dhe kryerjen e veprimeve përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.