Flash

Përplasja për pagat e gjyqtarëve/ KLGJ letër Ministrisë së Financave: Zbatoni vendimin e Kushtetueses

Lapsi.al 3 September 2026

Përplasja mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv për çështjen e trajtimit financiar të magjistratëve ka hyrë në një fazë të re tensioni zyrtar. Përmes një shkrese zyrtare të datës 3 shtator 2026, të nënshkruar nga kryetari Ilir Rusi, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, me dijeni edhe Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm dhe ekzekutimin e pagave të muajit gusht 2026 për gjyqtarët dhe punonjësit e administratës gjyqësore.

Në dokumentin zyrtar, KLGJ sqaron se situata ligjore dhe buxhetore lidhur me formulën e llogaritjes së pagave të gjyqtarëve rrodhi pas shfuqizimit të dispozitave ligjore nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 15, datë 17 shkurt 2026. Pasi Kuvendi i Shqipërisë dështoi të miratonte ndryshimet e nevojshme ligjore brenda afatit të caktuar të datës 31 korrik 2026, KLGJ miratoi më 26 gusht vendimin nr. 435 për të unifikuar zbatimin e detyrimit kushtetues, duke marrë si referencë kategorinë e lartë drejtuese në administratë (Kategoria I, Klasa 1-2).

KLGJ i përgjigjet prerë pretendimeve të Ministrisë së Financave për verifikime administrative, duke bërë me dije se në disa gjykata, si në Durrës, Fier dhe Gjirokastër, urdhërshpenzimet e miratuara nga vetë degët e thesarit janë bllokuar më pas në bankat përkatëse. Organi i qeverisjes së sistemit gjyqësor nëvizon se as Kuvendi, as Qeveria dhe as Ministria e Financave nuk mund të pezullojnë apo të vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pasi një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt nenin 132 të Kushtetutës dhe parimin e shtetit të së drejtës.

Sipas KLGJ-së, mosveprimi i Kuvendit nuk mund të shndërrohet në një të drejtë të ekzekutivit për të pezulluar efektet e vendimit kushtetues apo për të cenuar garancinë e paprekshmërisë së pagës së gjyqtarëve. Në përmbyllje të letrës, KLGJ i kërkon zyrtarisht Ministrisë së Financave ekzekutimin e menjëhershëm të pagave të muajit gusht për të gjithë nëpunësit e administratës gjyqësore që nuk preken nga ky vendim, si dhe kalimin e pagave për magjistratët e të tria niveleve të gjykatave.

 

 

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI