Flash

Gara e porteve në Adriatik/ Shqipëria mbetet jashtë loje pavarësisht pozicionit strategjik

Lapsi.al 12 August 2026

Ndërsa Mali i Zi po përgatit portin e Barit për një rol më të madh në tregtinë e Adriatikut dhe po investon në lidhjen hekurudhore me Serbinë dhe Europën Qendrore, Shqipëria, të paktën për momentin, duket larg një gare të ngjashme portuale.

Kontrasti është edhe më i dukshëm po të shihet ecuria e dy vendeve drejt Bashkimit Europian. Mali i Zi dhe Shqipëria janë aktualisht dy vendet që udhëheqin procesin e integrimit në Ballkanin Perëndimor, me Podgoricën më të avancuar dhe Tiranën pas saj

Një analizë e fundit e “Monitor” mbi zgjerimin e BE-së evidentonte pikërisht se dy vendet kanë shkëputur ritmin nga pjesa tjetër e rajonit.

Por afrimi institucional me BE-në nuk po shoqërohet me të njëjtën shpejtësi në infrastrukturën strategjike.

Projekti kryesor që duhet t’i jepte Shqipërisë një pozicion më të fortë në hartën portuale të Adriatikut, Porti i ri Tregtar i Durrësit në Porto Romano, vazhdon të mbetet pezull. Tenderi ndërkombëtar, me fond limit rreth 39.3 miliardë lekë, nisi në fund të vitit 2024 dhe kaloi për më shumë se një vit nëpër faza vlerësimi teknik dhe ankimesh. Nga pesë operatorët dhe bashkimet ndërkombëtare që hynë fillimisht në garë, vetëm dy kaluan fazën e parakualifikimit.

Në mars 2026, gara mori një tjetër goditje. Operatori i vetëm që kishte mbetur në procedurë u tërhoq për arsye ekonomike, të lidhura sipas qeverisë me rritjen e kostove të ndërtimit. Tenderi për projektin që duhet të zëvendësojë Portin aktual të Durrësit mbeti kështu pa fitues.

Problemet nuk kufizohen vetëm te porti. Edhe tenderi për projektin teknik të linjës hekurudhore Porto Romano–Sukth, lidhja që duhet ta integrojë portin e ardhshëm me rrjetin kombëtar hekurudhor, u përball me ankime dhe vonesa.

Kjo e dobëson pozicionin e Shqipërisë pikërisht në momentin kur korridoret logjistike të Ballkanit po marrin rëndësi të re ekonomike dhe strategjike. “Monitor” ka evidentuar më herët se dështimi i tenderit të Porto Romanos, vonesat në hekurudha dhe problemet e segmenteve rrugore po rrezikojnë realizimin e Korridorit VIII sipas afateve dhe standardeve europiane.

Ekspertët kanë paralajmëruar gjithashtu se vonesat në Porto Romano mund të kenë një kosto konkrete në konkurrencën rajonale. Osman Metalla, ekspert i infrastrukturës detare, ka pohuar për “Monitor” se, me kapacitetet ekzistuese që po afrohen me kufijtë e tyre dhe pa lidhje të përshtatshme hekurudhore me rajonin, Shqipëria rrezikon që linjat detare të orientohen drejt porteve konkurrente, përfshirë Selanikun dhe Barin.

Ndonëse Shqipëria ka në letër një avantazh të rëndësishëm: Portin e ri të Porto Romanos, Korridorin VIII dhe pozicionin gjeografik përballë Italisë, faktikisht, pa portin e ri dhe pa hekurudhën që duhet ta lidhë atë me rajonin, këto avantazhe mbeten kryesisht potenciale.

Shqipëria mund të jetë e dyta pas Malit të Zi në garën politike drejt BE-së, por në garën e porteve dhe korridoreve logjistike distanca duket shumë më e madhe./MONITOR

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI