Flash

Arresohet në Kroaci një i dyshuar për shpërthimet në gazsjellësin Nord Stream

Lapsi.al 19 August 2026

Policia në Kroaci ka arrestuar shtetasin ukrainas Vladimir Z., nën dyshimin se është i lidhur me shpërthimet që dëmtuan gazsjellësin Nord Stream mes Rusisë dhe Gjermanisë në vitin 2022, njoftoi më 19 gusht Prokuroria Federale e Gjermanisë. Ai u arrestua në Pula, në veriperëndim të Kroacisë, në bazë të një fletarresti evropian të lëshuar nga Gjykata Federale Supreme e Gjermanisë në qershor të vitit 2024.

Drejtoria Policore e Qarkut të Istrias i tha Radio Evropa e Lirë (REL) se një person u arrestua të mërkurën në mëngjes në një objekt turistik, por se ende po përcaktohet nëse ky është personi për të cilin Gjykata Federale e Drejtësisë në Karlsruhe ka lëshuar një fletarrest evropian.

“Në këtë moment nuk jemi në gjendje të konfirmojmë identitetin e personit të arrestuar”, deklaroi Drejtoria e Policisë së Istrias në një përgjigje me shkrim.

Sipas Prokurorisë Federale të Gjermanisë, Vladimir Z., si zhytës i trajnuar, i përkiste grupit të shtetasit ukrainas Serhiy K., ndaj të cilit po zhvillohet një procedurë e veçantë dhe i cili në shtator të vitit 2022 vendosi pajisje shpërthyese në gazsjellësin Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 pranë ishullit Bornholm. Pajisjet shpërthyese u aktivizuan më 26 shtator 2022 dhe shkaktuan dëme të mëdha në të dy gazsjellësit.

“I dyshuari mori pjesë në zhytjet me bombola të nevojshme për realizimin e operacionit. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij përdorën një varkë me vela që lundroi nga Rostoku për transport. Jahti ishte marrë më parë me qira nga një kompani gjermane përmes një ndërmjetësi, duke përdorur dokumente personale të falsifikuara”, tha prokuroria.

Parashikohet që i dyshuari, pas ekstradimit, të dalë para një gjyqtari hetues të Gjykatës Federale Supreme. Prokuroria Federale ngriti aktakuzë kundër Serhiy K. në Gjykatën e Lartë Rajonale Hanseatike në Hamburg në fund të qershorit 2026. Ai ishte arrestuar në gusht të vitit 2025 në Itali.

Hetimet gjermane kanë drejtuar gishtin nga një grup ukrainas prej pesë burrash dhe një gruaje si autorët e shpërthimeve në gazsjellës. Kur ndodhi shpërthimi në Nord Stream, fuqitë perëndimore nxituan të drejtonin gishtin nga Rusia, e cila ishte nën sanksione për pushtimin e Ukrainës.

Moska, nga ana tjetër, drejtoi gishtin nga Ukraina. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se qeveria e tij nuk dinte asgjë për planin për shkatërrimin e Nord Stream. Nord Stream ka qenë prej kohësh një gazsjellës i diskutueshëm, pasi i mundësonte gazit rus të anashkalonte rrugët e tranzitit përmes Evropës Lindore dhe e bënte Gjermaninë të varur nga energjia e lirë nga Rusia./REL

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI