
Një 23-vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare e Shkodrës, pasi u kap duke transportuar kundrejt pagesës 7 shtetas të huaj, të cilët dyshohet se synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin drejt Malit të Zi.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Transit 4”, të finalizuar nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të kontrolleve për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të dhënies së ndihmës emigrantëve për kalimin e kufirit.
Në pranga ra shtetasi L. M., 23 vjeç, banues në Urën Vajgurore.
Sipas njoftimit të Policisë, automjeti që drejtohej nga i riu u ndalua në segmentin rrugor Vukpalaj–Aliaj. Gjatë kontrollit, në automjet u gjetën 7 shtetas të huaj, 5 nga Filipinet dhe 2 nga Afganistani, të cilët dyshohet se po transportoheshin kundrejt pagesës për të kaluar ilegalisht në Malin e Zi.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi automjetin me të cilin po transportoheshin emigrantët.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.