
Erik ten Hag rikthehet të flasë për Cristiano Ronaldon dhe, edhe një herë, nuk kursen kritikat për vitet e fundit të karrierës së tij. Trajneri ka një gjykim shumë të ashpër për yllin portugez, i cili në moshën 41-vjeçare vazhdon të ketë dëshirën për të thyer rekorde dhe për të fituar trofe me skuadrën e tij. Sipas teknikut holandez, në të vërtetë karriera e Ronaldos kishte përfunduar disa vite më parë, përpara se ai të transferohej te Juventusi, ku nuk arriti të jepte më të mirën e tij.
Në një intervistë për ESPN, ten Hag e kritikoi ashpër futbollistin, duke pretenduar se ai kishte pushuar së bëri diferencën pas përfundimit të aventurës së tij të gjatë te Real Madrid.
Sulmi i ten Hag ndaj Cristiano Ronaldos
Sipas trajnerit, prej disa vitesh problemi i vërtetë i Cristiano Ronaldos është fakti se ai nuk arrin të vihet në shërbim të skuadrës. Ten Hag drejtonte Manchester Unitedin kur portugezi u largua nga klubi dhe të dy nuk kanë pasur marrëdhënie të mira. “Çdo skuadër e madhe duhet t’i japë vlerën yllit të saj, por edhe ylli duhet të dijë të vihet në shërbim të skuadrës. Ky ishte thjesht problemi me Ronaldon”.
Sipas holandezit, rënia e portugezit nisi që në momentin e transferimit te Juventusi: “Që të mos ketë keqkuptime nga ana ime: ai është padyshim një futbollist i madh. Është ndër më të mirët në botë. Por realiteti është gjithashtu se në shtatë apo tetë vitet e fundit nuk ka arritur të japë më të mirën e tij. Që nga Juventus, gjithçka kishte përfunduar”.
Trajneri shpjegoi se Real Madrid e kishte lënë të largohej pikërisht për shkak të këtij problemi, pasi drejtuesit e klubit kishin kuptuar më herët se të gjithë se ai kishte hyrë në fazën e rënies së karrierës: “Ky është gjithashtu një nga meritat më të mëdha të Real Madrid. Ata e kuptojnë kur një futbollist po humbet shkëlqimin. Në atë moment ndahen prej tij, në një kohë kur, në sytë e botës së jashtme, ai është ende në kulmin e karrierës, por në të vërtetë nuk është më në gjendje të japë më të mirën e tij”.