
Disa të rinj janë përballur me Avokatin e Popullit, Endrit Shabani, teksa ky i fundit ndodhej në një kafene duke pirë kafe me prindërit e tij. Në pamjet e publikuara dëgjohen të rinjtë duke iu drejtuar Shabanit me fjalët: “O palaço, s’të vjen turp” dhe “Je tradhtar, e meriton”.
DEBATI
I riu: O palaço i vogël, s’të vjen turp.
Endri Shabani: Po bën video për Facebook, jam me prindërit këtu.
I riu: S’të vjen turp, je tradhtar, e meriton, je tradhtar.
Pas kësaj videoje që qarkullon në rrjete sociale, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, ka reaguar duke pretenduar se është sulmuar verbalisht nga një aktivist i Partisë “Shqipëria Bëhet”, ndërsa ndodhej në një lokal duke pirë kafe me prindërit e tij.
Në reagimin e tij publik, Shabani bën me dije se personin që iu afrua dhe e filmoi e njeh që nga koha e gjimnazit. Ai identifikon si autor të veprimit Mevlan Matën, të cilin e cilëson si aktivist të së njëjtës parti.
“Kritikën ndaj meje e pranoj, për sa kohë kam zgjedhur një detyrë publike. Por prindërit e mi të moshuar nuk e meritojnë të përfshihen në skena të tilla, sepse nuk janë pjesë e asnjë debati politik dhe nuk kanë asnjë përgjegjësi publike”, ka reaguar Shabani. ©LAPSI.al