
Dibu Martinez ishte shumë pranë transferimit te Juventusi gjatë kësaj vere, por drejtuesit bardhezinj nuk ishin plotësisht të bindur për gjendjen fizike të portierit argjentinas. Dëmtimi i dorës, i cili ishte paraqitur si një problem i vogël, në të vërtetë rezultonte shumë serioz. Një prapaskenë që është zbuluar nga vetë Dibu gjatë një interviste. “E kam luajtur të gjithë Botërorin me një gisht të thyer”, tregoi Martinez.
“Mjekët më vendosën një mbajtëse në gisht dhe gjatë javëve të para arrita të stërvitesha duke u hedhur vetëm me njërin krah. Pak ditë përpara finales, arrita të stërvitesha normalisht. Nëse topi do të më godiste drejtpërdrejt në majë të gishtit, i gjithë gishti mund të shpërthente. Sa herë që topi vinte në drejtimin tim, lutesha që gishti të mos më dilte nga vendi”, rrëfeu portieri.
Gjatë intervistës, Dibu tregoi edhe gjendjen e dorës së tij. Të luajturit me një gisht të thyer sigurisht që nuk e ka ndihmuar. Gishti i unazës është dukshëm i shtrembër dhe përkulet në mënyrë jonormale. Problemi bëhet edhe më i dukshëm kur portieri i kombëtares argjentinase përpiqet të mbledhë gishtat e dorës. Gishti i dëmtuar nuk përkulet plotësisht deri në pëllëmbë, duke e bërë të pamundur mbylljen e mirë të grushtit.
Portieri argjentinas ishte shumë pranë Juventusit gjatë verës. Dibu ishte zgjedhja e parë për të zëvendësuar Di Gregorio, por bardhezinjtë nuk arritën të gjenin marrëveshjen me Aston Villa. Çmimi i kërkuar nga klubi anglez ishte tepër i lartë për një portier 34-vjeçar, i cili kishte edhe një problem kaq serioz fizik. Kështu, drejtuesit e Juventusit ndryshuan drejtim dhe u orientuan drejt italianit Vicario, ndërsa argjentinasi përfundoi te Chelsea, ku, siç ishte parashikuar, u detyrua të ndalej pothuajse menjëherë për t'iu nënshtruar një operacioni në gisht.