Flash

Tabaku: Qeveria e do Europën si slogan, jo si sistem vlerash për qytetarët

Lapsi.al 20 July 2026

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi në Kuvend se integrimi europian nuk mund të reduktohet në konferenca, fotografi ceremoniale dhe mbyllje formale kapitujsh, ndërsa standardet europiane mungojnë në jetën e përditshme të qytetarëve.

Gjatë debatit parlamentar mbi raportin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Tabaku analizoi qasjen e qeverisë ndaj procesit të anëtarësimit, duke u ndalur te dy fusha kryesore: arsimi dhe sundimi i ligjit.

Sipas saj, qeveria e ka mbajtur procesin e integrimit larg publikut dhe e ka kufizuar atë në një proces burokratik, të zhvilluar në zyra dhe të shoqëruar me deklarata triumfaliste.

“Integrimi europian është një proces politik, njerëzor dhe shoqëror. Përfituesit e vërtetë duhet të jenë shqiptarët dhe jo mazhoranca apo politikanët”, u shpreh Tabaku.

Duke marrë arsimin si shembull, deputetja e PD-së deklaroi se hapja apo mbyllja e kapitujve nuk do të thotë se një sektor është transformuar apo se qytetarët kanë arritur standardet europiane.

Ajo iu referua rezultateve të Shqipërisë në testimin PISA, duke theksuar rënien e ndjeshme të rezultateve të nxënësve shqiptarë dhe renditjen e vendit në fund të klasifikimeve për leximin, matematikën dhe shkencat.

Sipas Tabakut, këto rezultate nuk janë vetëm shifra në një dokument ndërkombëtar, por dëshmi e humbjes së mundësive për një brez të tërë, si dhe një paralajmërim për kapacitetin ekonomik të vendit në të ardhmen.

“Rezultatet e PISA-s janë pasqyrë e cilësisë së arsimit sot, por edhe një parashikues për kapacitetin ekonomik të Shqipërisë nesër. Ky është dështimi i parë i qeverisjes: kapitali njerëzor që po dobësohet dhe po largohet”, tha ajo.

Tabaku vuri në dukje gjithashtu nivelin e ulët të financimit të arsimit dhe kërkimit shkencor, duke deklaruar se Shqipëria shpenzon vetëm 3.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për arsimin, ndërsa financimi për kërkimin dhe zhvillimin mbetet shumë larg mesatares së Bashkimit Europian.

Ajo shtoi se paga e mësuesve, infrastruktura shkollore, laboratorët, bibliotekat dhe cilësia e mësimdhënies dëshmojnë se arsimi nuk është trajtuar si një prioritet real i integrimit europian.

Në pjesën e dytë të fjalës së saj, Tabaku u ndal te raporti i fundit për sundimin e ligjit, për të cilin tha se nuk evidenton vetëm mangësi teknike, por dokumenton një model të tërë qeverisjeje.

“Raporti dokumenton kalimin nga sundimi i ligjit te sundimi përmes ligjit. Kur ligji nuk i pëlqen qeverisë, ai ndryshohet”, deklaroi ajo.

Sipas Tabakut, raporti evidenton presionin ndaj drejtësisë, dobësimin e kontrollit dhe balancës së pushteteve, refuzimin e kërkesave të opozitës për komisione hetimore dhe rënien e mbikëqyrjes parlamentare ndaj ekzekutivit.

Ajo theksoi se ligji zbatohet me ashpërsi ndaj qytetarëve të zakonshëm, ndërsa për zyrtarët e lartë bëhet elastik, i negociueshëm dhe shpesh i pazbatueshëm.

“Qytetari zvarritet, zyrtari mbrohet. Për qytetarin e zakonshëm ligji është i menjëhershëm, i ashpër dhe brutal. Për pushtetin, ligji është elastik, i negociueshëm dhe i pazbatueshëm. Kjo nuk është barazi para ligjit dhe nuk është standard europian”, u shpreh Tabaku.

Deputetja e PD-së përmendi gjithashtu mungesën e konsultimit real publik, depozitimin e projektligjeve me pasoja të rëndësishme në minutat e fundit dhe përdorimin e ligjeve për interesa të ngushta politike.

Sipas saj, progresi është vërejtur kryesisht aty ku institucionet janë të pavarura dhe ku ekziston monitorim ndërkombëtar, ndërsa regresi shfaqet në fushat ku qeveria ushtron ndikim të drejtpërdrejtë.

“Qeveria e do Europën, por vetëm si slogan. E do si fotografi, por jo si kontroll mbi shtetin. E do si konferencë, por jo si barazi para ligjit. E do si afat elektoral, por jo si transformim të shtetit”, deklaroi Tabaku.

Në përfundim, bashkëkryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian theksoi se Shqipëria nuk ka nevojë për një “Europë fasadë”, por për standarde europiane të prekshme në shkolla, gjykata, ekonomi, parlament dhe në marrëdhënien e përditshme mes shtetit dhe qytetarit.

“Integrimi nuk shpallet i përfunduar vetëm sepse është mbyllur një kapitull në letër. Shqipëria ka nevojë për Europën e vërtetë. Ky është integrimi që qytetarët shqiptarë meritojnë dhe për të cilin ne do të luftojmë”, përfundoi Tabaku.

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI