Flash

SHBA dhe Irani ende pa marrëveshje, Trump kërkon më shumë kohë

Lapsi.al 29 May 2026

Presidenti amerikan Donald Trump ka shtyrë marrjen e një vendimi përfundimtar mbi një marrëveshje të mundshme me Iranin, pavarësisht se më herët kishte lënë të kuptohej se ishte gati të jepte dritën jeshile për një zgjatje të armëpushimit mes dy vendeve. 

Sipas The New York Times, Trump zhvilloi të premten një takim dyorësh në Situation Room të Shtëpisë së Bardhë me këshilltarët e tij më të afërt për sigurinë kombëtare, por në përfundim të mbledhjes nuk u mor asnjë vendim. Para takimit, Trump kishte shkruar në rrjetin e tij social Truth Social se ishte gati “të merrte një vendim përfundimtar” mbi propozimin që po diskutohet me Teheranin.

Megjithatë, sipas New York Times, presidenti u largua nga mbledhja pa miratuar ndonjë marrëveshje të re. Gazeta amerikane raporton se administrata Trump beson se është pranë një akordi me Iranin, por disa çështje të rëndësishme mbeten ende objekt negociatash. Mes tyre përmendet veçanërisht zhbllokimi i fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit. Sipas kushteve që Trump kishte përmendur publikisht, marrëveshja do të parashikonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, një zotim të Teheranit për të mos zhvilluar armë bërthamore dhe transferimin ose eliminimin e rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar.

Irani ka kundërshtuar vazhdimisht këto kushte. Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se shkëmbimet e mesazheve mes Uashingtonit dhe Teheranit vazhdojnë, por se ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare. Sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, Baghaei theksoi se bisedimet aktuale janë të përqendruara në përfundimin e luftës dhe jo në çështjen bërthamore.

Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij nga Omani. Sipas New York Times, në qendër të diskutimeve ishte e ardhmja e administrimit të Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më strategjike për tregtinë botërore të naftës dhe gazit. Araghchi deklaroi se dy vendet diskutuan administrimin e ardhshëm të ngushticës “në përputhje me përgjegjësitë tona sovrane dhe të drejtën ndërkombëtare”.

Sipas raportimeve, Irani ka shqyrtuar mundësinë e krijimit të një sistemi të përbashkët me Omanin për vendosjen e tarifave ndaj anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, megjithëse ende nuk është e qartë nëse kjo ide do të konkretizohet. Ndërkohë, televizioni shtetëror iranian IRIB raportoi se Araghchi i kishte bërë të qartë Omanit se çdo marrëveshje paqeje mbetet e kushtëzuar nga ndalimi i asaj që Teherani e quan “kërkesa të tepruara” dhe “qëndrime të paqëndrueshme e kontradiktore” nga ana e Shteteve të Bashkuara. Sipas New York Times, zhvillimet e fundit tregojnë se palët janë më afër një marrëveshjeje sesa në javët e kaluara, por se dallimet mbi çështjet kryesore vazhdojnë të pengojnë finalizimin e saj.

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI