Flash

Vuçiç paralajmëron se partia e tij mund të bojkotojë zgjedhjet presidenciale në Serbi

Ish presidenti për Listën studentore: «Është e qartë se ata po zvarriten sepse nuk dinë si të formojnë një qeveri, as si të menaxhojnë klanet, sferat e tyre të influencës, grupet e tyre»

Lapsi.al 31 October 2026

Vuçiç paralajmëron se partia e tij mund të

Partia Progresiste Serbe (SNS) mund të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, pasi Aleksandar Vuçiç dhe drejtuesit e partisë e shohin humbjen si të pashmangshme. Sipas analistëve, kandidati i listës studentore pritet të fitojë bindshëm që në raundin e parë.
Pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka lënë të kuptohet se partia e tij mund të mos garojë për zgjedhjen e presidentit të ri të Serbisë.

​«Le t’ia dalin vetë, le t’ia dalin mes vete, le të gjejnë dy ose tre aleatë që do t'i shoqërojnë në zgjedhjet presidenciale me nga një ose dy për qind të votave secili. Është e qartë se ata po zvarriten sepse nuk dinë si të formojnë një qeveri, as si të menaxhojnë klanet, sferat e tyre të influencës, grupet e tyre», – ka deklaruar ai.

Bashkëbiseduesit e pyetur prej gazetës Danas pohojnë se Vuçiç është i vetëdijshëm se do t'i humbasë zgjedhjet në mënyrë dërrmuese dhe se pikërisht për këtë është pothuajse e sigurt se SNS-ja madje nuk do të marrë pjesë fare në to.

​Milomir Mandiq, hulumtues në Demostat, shpjegoi për gazetën Danas se paralajmërimi i Vuçiqit se SNS-ja nuk do të ketë kandidat në zgjedhjet presidenciale është një përpjekje për të shmangur një rënie tjetër të popullaritetit të kësaj partie.

​Rezultati i zgjedhjeve presidenciale do të ishte shumë më i keq se ai i zgjedhjeve parlamentare në shifra absolute. Prandaj, ky vendim synon të shmangë një humbje edhe më dërrmuese në krahasim me zgjedhjet parlamentare. Fitorja e padiskutueshme e kandidatit të Listës Studentore që në turin e parë të zgjedhjeve është një nga frikërat që ka shtyrë vendimin e Vuçiçit. Mandiq vlerëson se çdo përpjekje për të delegjitimuar zgjedhjen e presidentit të ri të Serbisë përmes një bojkoti të votimeve do të ketë, përkundrazi, efektin e diskreditimit të mëtejshëm të autoriteteve krahinore e lokale, si dhe të vetë SNS-së.

Siç rikujton ai, Vuçiq u zgjodh president në vitin 2022 që në raundin e parë me 2,2 miliona vota.

​Kandidati për president nga Lista Studentore me siguri do të marrë një numër më të madh votash, gjë që do ta bëjë të pavlefshme çështjen e legjitimitetit të zgjedhjeve presidenciale në të cilën do të insistojë SNS-ja, përfundon Milomir Mandiq.

​Sociologu Dario Hajriq shpjegon për Danas se rrëfimi sipas të cilit Lista Studentore po dështon në formimin e qeverisë është një mashtrim i qëllimshëm i opinionit publik.

​Që të mund të formohet qeveria, Komisioni Zgjedhor Republikan duhet fillimisht të shpallë rezultatet zyrtare, gjë që nënkupton pritjen e turit të dytë të votimit të parashikuar për të dielën në 53 vendvotime. Më pas, studentët nuk do të kenë më pse të presin, përveç seancës konstituive të thirrur nga kryetarja në largim e kuvendit, Ana Bërnabiq. «Vuçiqi e di shumë mirë këtë, por përpiqet me çdo kusht të imponojë imazhin e Listës Studentore si të paaftë dhe të përçarë, ndonëse të dielën e kaluar mundëm të shihnim të kundërtën», deklaron i intervistuari i gazetës Danas.

​Nuk do të ishte çudi që SNS-ja të mos paraqesë asnjë kandidat në zgjedhjet presidenciale, duke ditur se edhe para fiaskos të së dielës, ajo ishte e paaftë të gjente një kandidat të zotin për t'i fituar këto zgjedhje, deklaron ai.

​Vuçiq nuk ka më të drejtë të kandidojë në zgjedhje, partia e tij është aq e urryer saqë nuk i lejohet më të shfaqë emrin e saj në bilborde apo të figurojë në fletëvotime, ndërsa prokuroria po hap hetime ndaj zyrtarëve të saj më të lartë. Vuçiq e di mjaft mirë se sa mund ta rrënojë një parti vargu i humbjeve zgjedhore: për katërmbëdhjetë vjet me radhë, ai e ka mbajtur opozitën në pozitë të dobët duke organizuar rregullisht zgjedhje të pjesshme sapo ajo rigrupohej. Mirëpo, vetë ai mund të pësojë dy humbje të rënda brenda tri muajve, dhe ka shumë të ngjarë të tentojë ta delegjitimojë zgjedhjen presidenciale përmes bojkotit, aq më tepër që kontrollon ende një pjesë të madhe të medieve, vlerëson Dario Hajriq.

​Kujtojmë se Ana Bërnabiq ka deklaruar se zgjedhjet presidenciale do të shpallen në përputhje me Kushtetutën deri më 27 dhjetor, përveç se nëse institucionet formohen shpejt dhe dikush tjetër do të marrë funksionin e presidentit ushtrues detyre.

Përshtatur nga gazeta serbe Danas

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

90.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI