
Ndonjëherë, për të realizuar një ëndërr, duhet vërtet të provosh gjithçka, madje edhe një kuiz televiziv. Në vitin 2000, Valdas Dambrauskas ishte një i ri lituanez pa shumë mundësi financiare, por me një objektiv të qartë: të bëhej trajner profesionist futbolli. Pa një të kaluar si futbollist dhe me një buxhet të kufizuar, ai vendosi të rrezikonte dhe mori pjesë në emisionin “Kush dëshiron të bëhet milioner?” në vendin e tij, ku fitoi çmimin e madh.
Me ato para në xhep, ai udhëtoi drejt Anglisë së bashku me bashkëshorten për të studiuar në akademitë më të mira të Londrës, duke fituar përvojë në klube si Brentford, Fulham dhe Manchester United, e duke e nisur madje nga kategoria e nëntë e futbollit anglez.
Që nga ai moment nisi një udhëtim i gjatë dhe magjepsës nëpër Lituani, Letoni, Slloveni, Bullgari, Kroaci, Greqi, Qipro dhe Hungari, deri te suksesi i madh në Azerbajxhan, ku që në vitin e parë fitoi një “dopietë” historike dhe triumfuese, kampionatin dhe kupën kombëtare. Më pas arriti të kualifikohej në Champions League, ku këtë mbrëmje regjistroi fitoren e parë historike. Një histori e vendosmërisë së pastër, ose më mirë, një përrallë.