Flash

Norvegjia në Botëror e veshur si vikingë: fotografia e Haaland dhe të tjerëve pa ndihmën e AI

Vëmendjen e publikut e ka tërhequr prezantimi i Norvegjisë, e cila ka vendosur të festojë rikthimin në një Kupë Bote pas 28 vitesh mungesë.

Lapsi.al 5 June 2026

Kanë mbetur më pak se shtatë ditë nga fillimi i Botërorit 2026 dhe, pas publikimit të listave të 48 kombëtareve pjesëmarrëse, po publikohen edhe fotografitë zyrtare me të cilat skuadrat prezantojnë pjesëmarrjen e tyre në rrjetet sociale. Mes tyre, njëra ka tërhequr veçanërisht vëmendjen e publikut: ajo e Norvegjisë, e cila ka vendosur të festojë rikthimin në një Kupë Bote pas 28 vitesh mungesë.

Përtej faktit se ishte pikërisht Norvegjia që eliminoi Italinë për herë të tretë radhazi nga një Botëror, kombëtarja skandinave vendosi të nderojë historinë dhe identitetin e saj në një mënyrë origjinale dhe tashmë virale: të gjithë futbollistët pozuan të veshur si vikingë. Fotografia u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale. Fillimisht shumë njerëz dyshuan se ishte krijuar me inteligjencë artificiale, por më pas u konfirmua se bëhej fjalë për një sesion fotografik të vërtetë, të organizuar deri në detaj për të festuar rikthimin historik të Norvegjisë në Botëror.

Norvegjia e fotografuar nga David Yarrow, fotografi i Haaland

Sesioni fotografik u zhvillua në fshehtësi në fund të majit 2026. Skuadra u mblodh në një plazh të Oslofjordit, pak para fillimit të grumbullimit për Botërorin dhe nisjes drejt Shteteve të Bashkuara. Iniciativa u konceptua nga Federata Norvegjeze e Futbollit, e cila synonte të thyente skemat e fotografive tradicionale të skuadrave dhe të vinte në pah krenarinë kombëtare dhe trashëgiminë vikinge. Një rol të rëndësishëm luajti edhe ylli i skuadrës, Erling Haaland, i cili ndihmoi në kontaktimin e fotografit të njohur britanik David Yarrow.

Yarrow është një emër i njohur në fotografinë ndërkombëtare dhe kishte bashkëpunuar më parë me Haalandin. Në vitin 2023 ai e kishte fotografuar sulmuesin norvegjez në një fjord, i veshur si viking, në kuadër të një iniciative bamirësie. Pas suksesit të atij projekti, fotografi pranoi ta zgjeronte idenë për të gjithë kombëtaren.

Fotoja “vikinge” e Norvegjisë: asnjë përdorim i inteligjencës artificiale

Në qendër të fotografisë shfaqet vetë Haalandi, me flokët e gjata të lëshuara dhe një shpatë në dorë. Rreth tij janë pozicionuar pjesëtarët e tjerë të skuadrës, përfshirë edhe Alexander Sørloth, i cili thuhet se mori komplimente personale nga Yarrow. Për realizimin e fotos nuk u përdor asnjë “green screen” dhe as efekte masive dixhitale. Gjithçka u ndërtua realisht në vendngjarje. 

Në zonë u sollën kopje autentike të anijeve vikinge dhe u ndërtua një mol prej druri për të realizuar pozimin e grupit. Lojtarët veshën kostume historike të punuara me kujdes, me parzmore lëkure, peliçe, shpata dhe mburoja të vërteta. Gjithçka u bazua në studime historike dhe rikonstruksione autentike, aq sa organizatorët shmangën me vetëdije helmetat me brirë, pasi ato konsiderohen historikisht të pasakta dhe rezultat i stereotipeve moderne.

Truku i vetëm dixhital: Odegaard u shtua më vonë

I vetmi ndërhyrje dixhitale që Yarrow u detyrua të përdorte ishte për kapitenin e Norvegjisë, Martin Ødegaard. Për shkak të angazhimeve me klubin e tij, Arsenal, i cili ishte i përfshirë në finalen e Champions League dhe në garën për titullin e Premier League, ai nuk mundi të merrte pjesë fizikisht në sesionin fotografik në plazh. Ødegaard u fotografua më vonë me të njëjtin kostum dhe më pas u shtua në mënyrë dixhitale në qendër të grupit, duke kompletuar kështu fotografinë zyrtare të kombëtares norvegjeze.

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI