
Trupi i pajetë i 20-vjeçarit portugez u gjet mëngjesin e sotëm në zonën bregdetare të Ksamilit, pas një konflikti që dyshohet se nisi në një prej lokaleve të natës në zonë dhe përfundoi me vrasjen e tij me thikë.
Viktima, Miguel Mendes, shtetas portugez, ndodhej në Ksamil për pushime. Klient në club-in “Principotes”, ai dyshohet se u përfshi në një konflikt me një prej punonjësve të lokalit.
Bëhet fjalë për Sokrat Vatën, 29 vjeç, i cili punonte si truproje në club dhe tashmë është arrestuar nga policia si i dyshuar për vrasjen e turistit portugez.
Pas ngjarjes, Vata dyshohet se u largua nga zona dhe u vu në kërkim. Pas disa orësh, ai u kap në një pikë kontrolli në Levan.
Sherri në club, më pas vrasja
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, konflikti mes 20-vjeçarit portugez dhe truprojës së club-it dyshohet se ka nisur brenda ambienteve të “Principotes”. Sherri dyshohet se nisi me përplasjen mes të riut dhe një 29-vjeçari shqiptar, David Heurtevent, banues në Vorë, i cili më pas e ka goditur me grushte.
Pas goditjeve të para, në përleshje janë përfshirë edhe disa pjesëtarë të stafit të lokalit, të cilët dyshohet se kanë goditur 20-vjeçarin.
Situata më pas ka agravuar, ndërsa sipas policisë, Sokrat Vata, 29 vjeç, dyshohet se ka ndërhyrë në konflikt dhe e ka goditur disa herë me thikë turistin portugez. Plagët e marra rezultuan fatale për 20-vjeçarin.
Përplasja është përshkallëzuar dhe ka përfunduar jashtë ambienteve të lokalit, ku turisti u godit me thikë. Miguel Mendes u gjet më pas pa shenja jete në plazhin e Ksamilit.
Policia rrethoi vendin e ngjarjes dhe grupi hetimor nisi mbledhjen e provave dhe marrjen e dëshmive. Pjesë e hetimit pritet të jenë edhe pamjet e kamerave të sigurisë së club-it dhe zonës përreth, të cilat mund të ndihmojnë në rindërtimin minutë pas minute të konfliktit.
Pas arrestimit, Sokrat Vata pritet të merret në pyetje nga hetuesit për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjen.
Pushuesit të tronditur

Vrasja ka shkaktuar tronditje te pushuesit në Ksamil, veçanërisht te familjet që ndodhen në zonë me fëmijët.
“Është një ngjarje e rëndë, jemi me pushime me fëmijët. Si t’u themi që është vrarë dikush? Ata do të tremben”, tha një prej pushuesve.
Një tjetër pushues e cilësoi ngjarjen të dhimbshme dhe të papranueshme.
“Na vjen shumë keq që ndodhi. Ky është një krim”, u shpreh ai./ Lapsi.al
