
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të vazhdojë sulmet kundër Hamasit dhe Hezbollahut gjatë një ceremonie përkujtimore për sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Në të njëjtën kohë, ai i tha Iranit se nuk do ta lejonte atë të “kërcënonte ekzistencën” e Izraelit.
Dy ditë para përvjetorit të tretë të sulmit më vdekjeprurës në historinë e vendit, sot, një ditë kombëtare përkujtimi, flamujt u ulën në gjysmështizë në ndërtesat publike që nga ora 6:29 e mëngjesit, koha kur Hamasi filloi të infiltrohej në territorin izraelit. Pasoi një kundërsulm shkatërrues izraelit në Rripin e Gazës.
“Kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm, por ka ende misione përpara nesh dhe ne synojmë t’i kryejmë ato”, tha kryeministri izraelit gjatë një ceremonie në varrezat ushtarake të Malit Herzl në Jerusalem.
“Nuk do të ketë autoritet të Hamasit në Gaza”, shtoi ai, duke u zotuar të vazhdojë të shënjestrojë këdo që është përfshirë në sulmin që vrau 1,221 izraelitë, kryesisht civilë, sipas një llogaritjeje të AFP bazuar në shifra zyrtare.
Lufta hakmarrëse e Izraelit në enklavën palestineze ka vrarë më shumë se 74,200 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës të kontrolluar nga Hamasi, shifrat e së cilës konsiderohen të besueshme nga OKB-ja.
Pas armëpushimit të shpallur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump në tetor 2025, e ardhmja politike e rajonit mbetet e pasigurt.
Izraeli, i cili ende kontrollon pjesën më të madhe të Rripit të Gazës, refuzon të tërheqë forcat e tij derisa të verifikohet çarmatimi i Hamasit.
Kjo e fundit, nga ana e saj, mbështet çarmatimin gradual, në vend të dorëzimit të menjëhershëm dhe të njëanshëm të arsenalit të saj.