
Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një raund të ri bisedimesh mes Rusisë dhe Ukrainës, në përpjekje për të rikthyer procesin diplomatik për përfundimin e luftës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Uashingtoni po komunikon me të dyja palët dhe ka propozuar një takim trepalësh në nivel teknik deri në fund të tetorit.
Kievi e ka pranuar në parim propozimin dhe është i gatshëm të marrë pjesë. Sipas Zelenskyt, takimi mund të zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe ose në një vend tjetër të propozuar nga SHBA-ja.
“Ne do të presim përgjigjen. Ne u përgjigjemi pozitivisht negociatave”, deklaroi Zelensky, ndërsa vëmendja tashmë është te qëndrimi i Moskës.
Propozimi vjen pas disa përpjekjeve të administratës Trump për të rikthyer Rusinë dhe Ukrainën në tryezën e negociatave. Në bisedime janë përfshirë edhe i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner.