![]()
Turqia ka hedhur poshtë pretendimet e publikuara në disa media ndërkombëtare dhe në rrjetet sociale se ka ndërhyrë në zgjedhjet e fundit në Izrael, duke i cilësuar ato si tërësisht të pabazuara.
Qendra për Luftimin e Dezinformimit pranë Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë deklaroi në platformën NSosyal se këto raportime janë pjesë e një fushate të qëllimshme për përhapjen e informacionit të rremë dhe ndikimin në opinionin publik.
Institucioni u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e pretendimeve që, sipas tij, synojnë të mashtrojnë publikun.
Reagimi i Ankarasë vjen në një kohë kur Izraeli përballet me vështirësi për sigurimin e shumicës parlamentare të nevojshme për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të zhvilluara të martën.
Sipas rezultateve paraprake, deri të enjten ishin numëruar 95 për qind e votave. Blloku i kryeministrit Benjamin Netanyahu kishte siguruar 53 vende në Knesset, ndërsa blloku opozitar “Ndryshimi” kishte marrë 48 vende dhe partitë arabe 19 vende.
Meqë asnjëri prej dy blloqeve kryesore nuk ka siguruar 61 mandatet e nevojshme në parlamentin me 120 vende, situata politike në Izrael mbetet e paqartë për sa i përket formimit të qeverisë së ardhshme.