Flash

Kushtetuesja në Bosnje ndalon financimin për lobim lidhur me shkëputjen e Republikës Sërpska

Lapsi.al 26 September 2026

Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës vendosi të premten t’i ndalojë pagesat nga buxheti i Republikës Sërpska për lobim, përfshirë paratë për të financuar kontratat e lobimit që lidhen me avokimin për shkëputjen e entitetit serb nga shteti i Bosnjës.

Vendimi lidhet me zërin buxhetor “Transferet për përfaqësitë e Republikës Sërpska jashtë vendit”, i paraparë në buxhetin e këtij entiteti për vitin 2026 në vlerë prej rreth tetë milionë eurosh, si dhe me të njëjtin zë në rishikimin e dytë të buxhetit për vitin 2025, ku ishin paraparë rreth 25 milionë euro.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjës i shpalli antikushtetuese fondet prej miliona eurosh të ndara nga Republikën Sërpska për lobim jashtë vendit, përfshirë edhe një kontratë që Përfaqësia e Republikës Sërpska në Vjenë e kishte lidhur me kompaninë kanadeze “Dickens & Madson”.

Gjykata ndaloi njëkohësisht të gjitha pagesat nga buxheti i Republikës Sërpska në bazë të kësaj kontrate, si dhe financimin e angazhimeve të tjera për lobim, qëllimet e të cilave janë në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe institucionet shtetërore të vendit.

Kushtetuesja e mori vendimin pas kërkesës së Denis Zvizdiqit, nënkryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës.

Në kërkesën e tij, Zvizdiq kërkoi që Gjykata Kushtetuese të zgjidhte një mosmarrëveshje mes Bosnje e Hercegovinës dhe entitetit të saj, Republikës Sërpska, lidhur me miliona euro të ndara për përfaqësitë e këtij entiteti jashtë vendit, përfshirë fondet e përdorura për financimin e kontratave të lobimit që lidhen me promovimin e pavarësimit të Republikës Sërpska.

Zvizdiq e kishte dorëzuar kërkesën në prill të këtij viti. 

“Qëllimi i kërkesës sime është që Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës t’i ndalojë të gjitha pagesat buxhetore nga të gjitha nivelet e pushtetit në Bosnje për lobim për synime antikushtetuese dhe të paligjshme, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, ligjet e saj, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe institucionet e Bosnje e Hercegovinës”, kishte deklaruar atëherë Zvizdiq.

Ai kishte paralajmëruar gjithashtu se “shpenzimi i parave të buxhetit nuk duhet të orientohet drejt cenimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit të Bosnje e Hercegovinës”.

Kontrata me “Dickens & Madson”

Sipas një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë, Republika Sërpska ka paguar katër milionë dollarë nga buxheti i saj për lobistë në Uashington, për të promovuar pavarësimin e këtij entiteti nga Bosnje e Hercegovina.

Sipas të dhënave nga një bazë amerikane, të analizuara nga REL-i, kontrata e fundit me kompaninë izraelito-kanadeze “Dickens & Madson” është pjesë e një fushate shumëvjeçare lobimi të autoriteteve të Republikës Sërpska në Shtetet e Bashkuara.

Për këtë fushatë, që nga viti 2015, janë ndarë të paktën 8.3 milionë dollarë. Ndër synimet e saj ishin heqja e sanksioneve amerikane ndaj ish-presidentit dhe kryeministrit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, si dhe kundërshtimi i legjitimitetit të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt. 

Shtetet e Bashkuara i hoqën sanksionet ndaj Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij në vitin 2025, ndërsa Schmidt dha dorëheqje nga posti në maj të këtij viti.

Autoritetet e këtij entiteti kishin paraparë edhe 54.9 milionë marka (rreth 28 milionë euro) për aktivitetet e lobimit në rishikimin e buxhetit për vitin 2025.

Fondet për lobim u miratuan nga shumica qeverisëse në Asamblenë Kombëtare të Republikës Sërpska, e udhëhequr nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur e Dodikut.

Republika Sërpska nuk ka të drejtë të shkëputet

Sipas kuadrit kushtetues në fuqi, entitetet e Bosnje e Hercegovinës nuk kanë të drejtë të shkëputen nga shteti dhe as të ndryshojnë në mënyrë të njëanshme integritetin e tij territorial.

Në një vendim të mëhershëm, të vitit 2008, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës kishte vlerësuar se Republika Sërpska mund të angazhonte lobistë për promovimin e interesave të veta. Gjykata në atë rast kishte hedhur poshtë pretendimet se një veprim i tillë cenonte kompetencat ekskluzive të shtetit në fushën e politikës së jashtme.

Megjithatë, Zvizdiq argumentoi në kërkesën e tij se rasti aktual dallon, pasi fondet e buxhetit po përdoren për aktivitete që lidhen drejtpërdrejt me promovimin e pavarësimit të Republikës Sërpska, gjë që, sipas tij, është në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës dhe vendimet e mëhershme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare./REL

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI