
Komisioni Europian prezantoi këtë të martë një formulë të re zgjerimi që synon të përshpejtojë procesin, duke hequr disa nga mundësitë e bllokimit gjatë negociatave dhe duke i integruar kandidatët në politikat europiane përpara anëtarësimit të plotë. Por ka edhe një çmim për t'u paguar, anëtarët e rinj mund të mbeten nën një regjim të posaçëm kontrolli për 15 vjet pasi të futen në BE.
Shqipëria del relativisht e fituar nga skema e re. Bashkë me Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë, ajo është vendosur në grupin e katër kandidatëve më të avancuar për të cilët Komisioni do të përgatisë udhërrëfyes të anëtarësimit, me kusht që të ruhet ritmi i reformave. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se bileta është prerë për të hyrë në klubin e vendeve të Bashkimit Europian, por është një sinjal se Brukseli po fillon të projektojë konkretisht zgjerimin e ardhshëm dhe Shqipërinë e sheh brenda grupit të parë.
“Zgjerimi i Unionit tonë është një domosdoshmëri gjeopolitike”, deklaroi presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, duke shtuar se “ndërsa vendet e zgjerimit përparojnë në rrugën e reformave, BE-ja duhet të jetë gati t’i mirëpresë”.
Më së paku, Komisioni po e pranon indirekt se ekziston edhe problemi në anën tjetër të kufijve, se BE-ja me 27 anëtarë dhe me rregullat aktuale nuk është aq e përgatitur për një zgjerim të madh.
Kufizimi i vetos për vendet kandidate

Një prej ndryshimeve që mund të ketë ndikimin më të drejtpërdrejtë për Shqipërinë është kufizimi i vetos gjatë fazave të negociatave. Komisioni propozon përdorimin e shumicës së cilësuar për disa vendime të ndërmjetme, përfshirë faza të hapjes së negociatave, në mënyrë që një shtet i vetëm të mos jetë në gjendje të bllokojë gjithë procesin.
Përvoja në Ballkan ka treguar se ky është një problem konkret. Maqedonia e Veriut mbeti për vite e bllokuar fillimisht nga Greqia dhe më pas nga Bullgaria, ndërsa mosmarrëveshjet dypalëshe janë kthyer shpesh në instrument vetoje brenda procesit të zgjerimit.
Megjithatë, vetoja nuk zhduket në fund të rrugës. Pranimi përfundimtar i një shteti të ri do të vazhdojë të kërkojë miratimin e vendeve anëtare.
Një anëtar i ri në BE, 15 vjet në provë

Për të qenë sa më bindës me kryeqytetet europiane, Brukseli po propozon një tjetër risi: një lloj periudhe prove 15-vjeçare për anëtarët e ardhshëm.
Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos e quajti atë një “policë sigurimi” për Bashkimin Europian.
“Duhet të jemi të sigurt që, pasi të anëtarësohen, ata të mos bien më kurrë poshtë këtyre standardeve. Këtë e kemi mësuar nga përvojat e së kaluarës. Ka të bëjë me mbrojtjen tonë”, tha Kos.
Fantazma që qëndron mbi këtë reformë është ajo e Viktor Orban. Përplasjet shumëvjeçare të Brukselit me Hungarinë për shtetin e së drejtës kanë treguar se BE-ja është shumë më e fuqishme për t’i imponuar reforma një kandidati që kërkon të hyjë sesa për të disiplinuar një qeveri pasi ajo është ulur në tryezë si anëtare me të drejta të plota. Komisioni kërkon ta mbyllë këtë dilemë.
Sipas skemës së propozuar, në raste veçanërisht të rënda të shkeljes së vlerave europiane ose të parimit të “bashkëpunimit të sinqertë”, një anëtari të ri mund t’i pezullohen të drejtat e votës në Këshillin e BE-së. Mekanizmi do të mund të përdorej për 15 vjet pas anëtarësimit. Mund të ndërpriten ose kufizohen gjithashtu fondet europiane, ndërsa në fusha të caktuara masa mbrojtëse mund të qëndrojnë edhe më gjatë.
Komisioni mohon se kjo do të krijojë një BE me anëtarë të kategorisë së parë dhe të dytë.
“Ne nuk po ndryshojmë të drejtat e votës. Nuk ka absolutisht asnjë ndryshim. Vendet nuk duhet të shqetësohen, përveçse nëse diçka shkon seriozisht keq”, tha një zyrtar i lartë i Komisionit, i cituar nga Rapporteur.
Në gjuhë më të thjeshtë, mesazhi për qeveritë skeptike europiane është: pranojini vendet e reja, sepse nëse pas anëtarësimit fillojnë të shkelin standardet që u kërkuan për të hyrë, këtë herë BE-ja do të ketë instrumente më të forta për t’i ndëshkuar.
Ana tjetër e marrëveshjes është shumë më interesante për vendet kandidate.
Integrimi gradual

Shqipëria nuk do të duhet domosdoshmërisht të presë ditën kur flamuri shqiptar të vendoset mes flamujve të shteteve anëtare për të marrë një pjesë të përfitimeve të BE-së. Komisioni kërkon që kandidatët të integrohen gradualisht në tregun e përbashkët, programet kërkimore, energjinë, transportin, politikat digjitale, sigurinë dhe fusha të tjera.
“Integrimi gradual nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë; ai është përshpejtuesi i zgjerimit”, ka shpjeguar komisionerja Marta Kos.
Është një ndryshim i rëndësishëm i filozofisë së zgjerimit. Deri tani modeli ishte kryesisht: reforma, negociata të gjata, anëtarësim dhe më pas përfitime. Modeli i ri synon një proces më gradual: reforma, përfitime konkrete, integrim më i thellë, reforma të tjera dhe në fund anëtarësim.
Në këtë mënyrë kufiri mes të qenit kandidat dhe anëtar mund të fillojë të zbehet përpara hyrjes formale në BE.
Por as kjo nuk është një dhuratë pa kushte. Integrimi gradual do të lidhet me përmbushjen e reformave dhe mund të jetë i kthyeshëm. Nëse një qeveri ndalon reformat ose largohet nga standardet europiane, mund të humbasë përfitimet e marra.
Industria ushtarake si kusht për afrimin me BE

Një tjetër fushë ku kandidatët do të afrohen më shpejt me BE-në është mbrojtja. Komisioni kërkon integrimin gradual në programet dhe strukturat europiane të mbrojtjes, përfshirë instrumente si SAFE dhe EDIP. Shqipëria është e avantazhuar politikisht si anëtare e NATO-s dhe është rreshtuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian.
Në themel të gjithë kësaj është lufta në Ukrainë. Zgjerimi është kthyer në instrument gjeopolitik. BE-ja nuk dëshiron që Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia të qëndrojnë pafundësisht në një zonë gri ku mund të konkurrojnë ndikimi europian, rus, kinez apo aktorë të tjerë.
Kjo shpjegon edhe përse shanset politike të Shqipërisë janë sot më të mira. Kontrolli mbi shtetin e së drejtës mund të bëhet edhe më i fortë. Por vullneti gjeopolitik për zgjerim është shumë më i madh dhe Komisioni po përpiqet të ndryshojë vetë mekanizmat e BE-së që zgjerimi të mos mbetet vetëm një premtim.
Ndërkohë Tirana duhet ende të mbyllë negociatat, të përmbushë kriteret, veçanërisht ato të shtetit të së drejtës, dhe në fund të marrë miratimin politik të vendeve anëtare. Asnjë prej këtyre kushteve nuk u hoq këtë të martë.
Por një pengesë e madhe po trajtohet për herë të parë seriozisht: gatishmëria e vetë Bashkimit Europian për zgjerim./Lapsi.al
