Flash

Këshilli i BE-së do t’i hapë rrugën heqjes së tarifave roaming me vendet e Ballkanit Perëndimor

Lapsi.al 3 June 2026

Këshilli i Bashkimit Europian pritet të miratojë ditën e enjte propozimin e Komisionit Europian për të nisur negociatat e heqjes së tarifave roaming me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas marrjes së dritës së gjelbër nga Këshilli, do të nisin negociatat individuale me secilin vend të Rajonit, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë.

Këshilli Europian është institucioni që përcakton politikat kryesore dhe prioritetet e BE-së. Ai përbëhet nga Kryeministrat e vendeve anëtare, Kryetari i zgjedhur i Këshillit si edhe nga kryetarja e Komisionit Europian.

Heqja e tarifave roaming mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian u paralajmërua në tetor të vitit të kaluar në Tiranë nga Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Heqja e tarifave roaming nënkupton se abonentët e shërbimeve celulare në Shqipëri dhe vendet e tjera të Rajonit do të përdorin numrat e tyre në vendet e Bashkimit Europian me të njëjtat tarifa si në vendin e tyre.

Procesi nuk ka një afat të qartë dhe ecuria e tij do të varet nga negociatat që do të zhvillohen me secilin vend të rajonit. Heqja e tarifave roaming me vendet e BE-së, megjithatë, do të kërkojë edhe ndryshime ligjore në secilin prej këtyre vendeve.

Qeveria shqiptare ka përgatitur disa ndryshime në ligjin “Për komunikimet elektronike”, që, mes të tjerash, do të krijojnë bazën ligjore për rregullimin e roaming mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Pritet që ndryshimet ligjore të miratohen këtë vit.

Aktualisht, tarifat roaming mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nuk janë ligjërisht të rregulluara, por që prej vitit 2023, me ndërmjetësimin e Komisionit Europian, 38 operatorë të shërbimeve celulare të BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor arritën një marrëveshje për uljen e tarifave roaming të internetit.

Nga dy operatorët celularë shqiptarë, vetëm One Albania u bë pjesë e marrëveshjes, por sidoqoftë edhe Vodafone Albania ofron tarifa të ngjashme preferenciale për përdorimin e shërbimeve të kompanive të tjera të grupit Vodafone në BE.

Konkretisht, operatorët që u bënë pjesë e marrëveshjes ranë dakord për vendosjen e një niveli maksimal të çmimit të shitjes me pakicë 18 euro/GB (gigabajt) duke filluar nga 1 tetori 2023, ndërsa që nga fillimi i këtij viti çmimi tavan është ulur në 14 euro/GB.

Marrëveshja parashikon edhe një etapë të tretë, që do t’i ulë çmimet në 9 euro/GB, duke filluar nga viti 2028.

Marrëveshja u ka mundësuar përdoruesve të telefonisë celulare nga Shqipëria çmime më të ulëta të përdorimit të internetit gjatë kohës kur ndodhen në vendet e Bashkimit Europian, si edhe, anasjellas, edhe turistëve të huaj të përdorin internetin me çmime më të lira në Shqipëri.

Përdoruesit e telefonisë celulare të të dyja kompanive celulare shqiptare kanë sidoqoftë në dispozicion paketa komunikimi në roaming me kosto edhe më të ulët, kundrejt një çmimi fiks.

Marrëveshja për uljen e tarifave të internetit në roaming me vendet e BE-së ndoqi marrëveshjen e arritur për heqjen e plotë të tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Prej fundit të qershorit 2021, përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë komunikojnë gjatë udhëtimeve në vendet e tjera të rajonit pa kosto shtesë dhe me të njëjtat tarifa të planit kombëtar përkatës. /monitor 

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI