
Një ngjarje e rëndë ndodhi këtë të premte në fshatin Livoç të Ulët, në Gjilan, ku mbetën të vrara Nafije Bogujevci dhe vëllai i saj, Egzon Bogujevci.
Për ngjarjen dyshohet Valon Ramushi, bashkëshorti i Nafije Bogujevcit, i cili pas krimit është vetëdorëzuar në polici.
Sipas informacioneve të publikuara në mediat e Kosovës, Ramushi është i angazhuar në fushën e biznesit në zonën e Gjilanit. Ai raportohet se zotëron një kompani, si dhe një lagje banimi në Makresh.
Nga të dhënat paraprake të bëra publike nga policia e Kosovës, Egzon Bogujevci u gjet i pajetë brenda një automjeti. Ndërsa motra e tij, Nafije Bogujevci, dyshohet se është qëlluar me të njëjtën armë zjarri dhe është dërguar në Emergjencën e Gjilanit pa shenja jete.
Ngjarja e rëndë ka tronditur zonën, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes së dyfishtë dhe për të përcaktuar motivin e mundshëm.
Dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me konflikte të mëparshme familjare dhe një kërkesë për divorc, por këto rrethana nuk janë konfirmuar zyrtarisht dhe mbeten objekt hetimi. /LAPSI.al