
Përfundojnë në SPAK zyrtarët e Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) për ndërhyrjen në mënyrë të paligjshme në pronësinë e kompanisë që administron Aeroportin e Vlorës.
Sipas biznesmenit Behgjet Pacolli, QKB ka regjistruar transferimin e kuotave të shoqërisë Vlora International Airport (VIA), pavarësisht se mbi to rëndon një masë sigurimi gjyqësor dhe ekzistojnë vendime që e pengojnë një veprim të tillë.
Pacolli e cilëson këtë një ndërhyrje flagrante në pronën private, duke akuzuar drejtpërdrejt ish-administratorët Valon Ademin dhe Vegim Hoxhën si organizatorë të dyshuar të manipulimit, me përfshirjen e paligjshme të përfaqësuesve të QKB-së.
Në reagimin e tij publik, biznesmeni ngre dyshime se pas kësaj ndërhyrjeje mund të qëndrojnë edhe zyrtarë të institucioneve të tjera shtetërore, ndërsa kërkon të zbardhet se kush e ka mundësuar regjistrimin dhe interesave të kujt u shërben ai.
“Kjo nuk është më vetëm çështje e MABCO-s apo e Aeroportit të Vlorës. Është çështje e funksionimit të shtetit ligjor, e besimit të investitorëve dhe e reputacionit ndërkombëtar të Shqipërisë" deklaron Pacolli në një mesazh në rrjetet social, duke e paraqitur konfliktin për Aeroportin e Vlorës si një provë të funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri.
Ai njofton se kompania MABCO Constructions SA do të depozitojë kallëzim penal në SPAK ndaj personave që dyshon se janë përfshirë në këtë veprim, ndërsa paralajmëron se të hënën do të ndërmarrë hapa të tjerë ligjorë kundër të gjithë atyre që kanë kryer ose mundësuar regjistrimin e kontestuar.
Mesazhi i plotë i Behgjet Pacollit
NJË TJETËR GODITJE E RËNDË DHE E DENUESHME NDAJ SHTETIT TË SË DREJTËS NË SHQIPËRI
Me indinjatë të thellë konstatojmë se Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), në Tiranë, në kundërshtim me vendimet gjyqësore dhe pa asnjë bazë ligjore, ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në strukturën e kuotave të shoqërisë Vlora International Airport (VIA), duke regjistruar transferimin e kuotave për të cilat ekziston një masë siguruese gjyqësore e ekzekutuar, një vendim i përmbaruesit gjyqësor i rregjistruar në QKB , Vendimi i Gjykatës së lartë dhe në mungesën totale te çfardo miratimi tjetër ligjor që do të lejonte nje tranferim te tillë.
Ky është definitivishtë një akt i rëndë abuziv që cenon pronën private, shpërfill autoritetin e gjykatave dhe dëmton rëndë sigurinë juridike të investimeve në Shqipëri. Këto manipulime, të cilat i konsiderojmë abuzive, të kundërligjshme dhe të dënueshme, dyshohet se janë orkestruar nga Valon Ademi dhe Vegim Hoxha, me përfshirjen ILEGALE te përfaqësuesve të QKB-së, duke i trajtuar institucionet shtetërore sikur të ishin pronë e tyre private. Duhet të zbardhet plotësisht nëse në këto veprime kanë qenë të përfshirë apo kanë dhënë ndihmën e tyre edhe përfaqësues të institucioneve të tjera.
Kush u jep të drejtën ketyre njerezve dhe funksionarëve shtetërorë të vendosin mbi ligjin dhe mbi vendimet e gjykatave, të veprojnë ilegalishtë e kunderligjeshem
e te lozin me imazhin dhe rendin kushtetues të Shqiperisë. Ketu duhen organet e shtetit të intervenojnë menjëhere!
Kush qëndron pas këtyre veprimeve dhe kujt i shërbejnë ato?
MABCO Constructions SA ka ndërmarrë tashmë të gjitha veprimet ligjore, përfshirë kallëzimin penal në SPAK ndaj autorëve të dyshuar për këtë veprim kriminal.
Të hënën do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm ligjorë kundër çdokujt që ka kryer ose ka mundësuar këtë regjistrim të paligjshëm dhe jo vetëm.
U bëj thirrje institucioneve të drejtësisë shqiptare të veprojnë menjëherë, të hetojnë përgjegjësit dhe të garantojnë respektimin e ligjit dhe të pronës private.
Kjo nuk është më vetëm çështje e MABCO-s apo e Aeroportit të Vlorës. Është çështje e funksionimit të shtetit ligjor, e besimit të investitorëve dhe e reputacionit ndërkombëtar të Shqipërisë.
Ne nuk do të heshtim dhe nuk do të tërhiqemi. Do të kërkojmë drejtësi në Shqipëri dhe në çdo instancë ndërkombëtare kompetente.
Askush nuk është mbi ligjin. Prona private dhe vendimet e gjykatave nuk mund të bëhen objekt pazari apo abuzimi administrativ.
Behgjet Pacolli