
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%.
Diskutimet e Këshillit u përqendruan tek analiza e zhvillimeve më të fundit ekonomike e financiare, vlerësimi i parashikimeve për të ardhmen, si dhe identifikimi i qëndrimit të përshtatshëm të politikës monetare.
Në gjykimin e Këshillit, ekonomia shqiptare ka shënuar një ecuri pozitive gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2026, të pasqyruar në rritjen e aktivitetit ekonomik, në rritjen e punësimit e të pagave në sektorin privat jobujqësor, si dhe në ruajtjen e inflacionit në nivele të përafërta me objektivin e Bankës së Shqipërisë. Në këtë kontekst, një rol pozitiv ka luajtur edhe politika monetare e kujdesshme e ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Kjo politikë ka krijuar kushte monetare të përshtatshme për ankorimin e pritjeve për inflacionin, si dhe ka mundësuar reduktimin e primeve të rrezikut në tregjet financiare dhe ruajtjen e kushteve të favorshme të financimit.
Projeksionet ekonomike të skenarit bazë mbeten pozitive: ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme solide dhe pranë potencialit gjatë afatit të mesëm, ndërkohë që inflacioni parashikohet të rritet lehtësisht mbi objektiv gjatë tremujorëve në vijim dhe të kthehet pranë tij në horizontin afatmesëm. Megjithatë, pasiguritë rreth këtyre parashikimeve paraqiten të shtuara.
Guvernatori i bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se informacioni i ri tregon se mjedisi ndërkombëtar është karakterizuar nga një rritje e shpejtë dhe me bazë të gjerë e presioneve mbi inflacionin gjatë muajve të fundit. Në veçanti, rritja e çmimeve të naftës e të burimeve të tjera të energjisë ka kontribuuar në rritjen e inflacionit dhe rritjen e faturës së importit të partnerëve tanë tregtarë.
“Këto zhvillime janë pasqyruar në rritjen e çmimeve në Shqipëri. Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi vlerën 3.2% gjatë tremujorit të tretë, nga 3% në tremujorin e dytë, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të karburanteve dhe të disa produkteve ushqimore të papërpunuara. Nga ana tjetër, ngadalësimi i inflacionit të qirave ka vepruar në kahun e kundërt gjatë tremujorit, duke diktuar rënien e inflacionit nga niveli 3.4% në muajin korrik në nivelin 2.9% në muajin shtator.
Në këndvështrimin makroekonomik, ecuria e inflacionit pasqyron forcimin e presioneve të huaja dhe zbutjen e atyre të brendshme. Inflacioni i importuar ka ardhur në rritje, ndonëse mbiçmimi i Lekut ka amortizuar pjesërisht ndikimin e çmimeve të huaja. Ndërkohë, presionet nga ekonomia e brendshme kanë ardhur në reduktim, si pasojë e rënies së inflacionit të qirave, duke kontribuuar edhe në rënien e inflacionit bazë. Në tërësi, kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, si dhe rritja e shpejtë e pagave në sektorin privat jobujqësor, vijojnë të mbeten faktorë rreziku për ecurinë e çmimeve në të ardhmen. Ndikimi i tyre në inflacion vijon të mbetet i kontrolluar, si pasojë e rritjes së produktivitetit, e rënies së marzheve të fitimit për njësi, si dhe e pritjeve të ankoruara për inflacionin. Megjithatë, ecuria e tyre do të vijojë të jetë subjekt i vëmendjes së shtuar nga Banka e Shqipërisë.
Të dhënat e disponuara sugjerojnë një rritje të qëndrueshme ekonomike gjatë tre tremujorëve të parë të vitit. Sipas INSTAT-it, ekonomia u rrit me 3.6% në gjashtëmujorin e parë, duke ruajtur ritme të ngjashme me ato të vitit të kaluar, ndërkohë që treguesit e disponuar për tremujorin e tretë sugjerojnë ruajtjen e ritmeve të qëndrueshme të rritjes ekonomike. Kjo e fundit vijoi të mbështetet nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe eksporteve totale, të nxitura nga kërkesa e lartë për shërbime turistike dhe nga rritja e prodhimit dhe eksporteve të energjisë elektrike. Në këndvështrimin sektorial, kontributet kryesore vijojnë të vijnë nga shërbimet dhe ndërtimi.
Tregu i punës ka vijuar të karakterizohet nga rritja e punësimit dhe e pagave, në përgjigje të rritjes së kërkesës së bizneseve për fuqi punëtore dhe problemeve të ofertës. Punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 2.3% në tremujorin e dytë, duke vijuar të shfaqë zhvendosje graduale të fuqisë punëtore nga bujqësia drejt sektorëve të tjerë. Ndërkohë, shkalla e papunësisë zbriti në 8.3% në fund të gjashtëmujorit të parë. Kërkesa për punë dhe vështirësitë e bizneseve për sigurimin e fuqisë punëtore kanë vijuar të ushtrojnë presione mbi pagat, të cilat u rritën me 11.6% në terma nominalë dhe 6.8% në terma realë gjatë këtij tremujori.
Krahas tregut të fortë të punës, zgjerimi i kërkesës së brendshme është mbështetur edhe nga kushtet e favorshme të financimit. Normat e interesit në tregun financiar qëndrojnë në nivele akomoduese, duke pasqyruar qëndrimin e politikës monetare dhe primet e kontrolluara të rrezikut. Nga ana tjetër, tregu valutor ka funksionuar normalisht, falë edhe pranisë së shtuar të Bankës së Shqipërisë, ndërsa trendi mbiçmues i kursit të këmbimit të Lekut vijon të mbetet i pranishëm. Ky mjedis financiar, së bashku me qasjen pozitive të bankave ndaj kreditimit, ka mbështetur rritjen e kredisë. Rritja vjetore e saj arriti në 15.5% në tremujorin e tretë, e nxitur nga rritja e kredisë në Lekë dhe e orientuar drejt financimit të investimeve të bizneseve dhe blerjes së banesave nga individët. Njëkohësisht, raporti i kredive me probleme ka mbetur në nivele historikisht të ulëta, duke dëshmuar cilësinë e mirë dhe të qëndrueshme të portofolit të kredisë.
Parashikimet tona sugjerojnë se perspektiva ekonomike mbetet pozitive. Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik pritet të vijojë të zgjerohet, i shoqëruar me rritje të punësimit dhe të pagave. Ritmet e rritjes ekonomike pritet të qëndrojnë pranë potencialit në horizontin afatmesëm, duke mundësuar një balancim më të qëndrueshëm të kërkesës dhe ofertës dhe duke gjeneruar presione të brendshme inflacioniste në linjë me objektivin tonë.
Sipas skenarit bazë, inflacioni pritet të rritet disi mbi objektiv në afatin e shkurtër, kryesisht si pasojë e intensifikimit të presioneve inflacioniste nga jashtë. Më tej, normalizimi gradual i këtyre presioneve, së bashku me ecurinë e qëndrueshme të faktorëve të brendshëm, pritet të mundësojë kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2028.
Megjithatë, pasiguritë rreth kësaj perspektive janë shtuar dhe balanca e rreziqeve qëndron në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike. Në veçanti, zhvillimet në ambientin e huaj mbeten të pafavorshme, tensionet e fundit sociale mund të pasqyrohen në rritje të pasigurisë dhe reduktim të konsumit, investimeve dhe të ardhurave të turizmit, ndërsa ndikimi në çmime i paketës së re fiskale mbetet për t’u vlerësuar në vijim.
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se ky qëndrim ofron balancën më të mirë midis pasigurive të shtuara në këtë raund parashikimi dhe nevojës për një normalizim të mundshëm të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen. Si i tillë, ai siguron kushtet më të favorshme monetare për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv.
Këshilli vlerëson se forcimi i presioneve të huaja inflacioniste dhe shtimi i rreziqeve rreth perspektivës ekonomike kërkojnë një qasje të kujdesshme dhe fleksibël në drejtimin e politikës monetare. Për këto arsye, ai vëren se vendimet e ardhshme do të bazohen në informacionin e ri ekonomik e financiar, në vlerësimin e balancës së përgjithshme të presioneve inflacioniste dhe në rreziqet që rrethojnë kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv.
Këshilli Mbikëqyrës do të vijojë të monitorojë me kujdes zhvillimet ekonomike e financiare dhe mbetet i gatshëm të reagojë në kohën, kahun dhe me intensitetin e duhur ndaj çdo rreziku që mund të cenojë stabilitetin e çmimeve”, tha Sejko. /monitor