
Aleksandar Vuçiç, emri i të cilit kryeson listën elektroale “Aleksandar Vuçiç- Serbia e Bashkuar”, deklaroi sonte se kjo listë humbi në zgjedhjet e sotme të parakohshme parlamentare dhe se fitoi “Lista Studentore”. Nga selia e Partisë Progresiste Serbe (SNS), Vuçiç deklaroi se ende nuk i kanë rezultatet përfundimtare, por se, bazuar në kampionin e shtresëzuar, “është e qartë se i kanë humbur këto zgjedhje”.
“Nuk kemi rezultate përfundimtare. Shumë do të befasohen dhe do ta kuptoni se sa shumë kanë gënjyer disa dhe çfarë kanë sajuar. Dua t’ju informoj se lista e studentëve bllokues ka fituar. Ata do të kenë nga 135 deri në 140 mandate, ndërsa ne kemi rreth 105”, tha Vuçiç.
Siç shtoi ai, në parlament pritet të hyjë edhe Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës dhe një mandat është për parittë shqiptare në Luginën e Preshevës. “Hungarezët e Vojvodinës kanë hyrë me tri mandate dhe shqiptarët me një mandat, si edhe, besoj, SDA-ja, por mos ma merrni për të sigurt. Pra, ne kemi diku rreth 1.720.000 vota. Po jua them bazuar në kampion, kjo është krejt e parëndësishme. Ata kanë rreth 2.200.000”, tha Vuçiç.
Duke iu drejtuar të gjithë atyre që kishin thënë se ai do të arratisej, Vuçiç deklaroi se gjithçka që kishin thënë ishte gënjeshtër. “Meqë thanë se dikush do të arratisej, do të bënte valixhet, se dikush kishte frikë prej tyre, se dikush do të fshihej, kanë gënjyer për gjithçka që kanë thënë. Gënjyen edhe për topin zanor, drejtpërdrejt, të vendeve të ndryshme evropiane dhe të shtetit të thellë amerikan, atij që është kundër presidentit Trump”, tha Vuçiç.
Ai theksoi se koalicioni rreth SNS-së fitoi kudo ku jetojnë serbë në rajon: në Republikën Srpska, në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut dhe kudo tjetër. “Fituam në Kosovë mes serbëve, dhe e di se për shumë njerëz sonte është e vështirë”, theksoi Vuçiç. “Do të luftojmë dhe do të tregojmë se çfarë është opozita, krenarë për gjithçka që kemi bërë”.
“Ai shtoi se është krenar për gjithçka që ka bërë partia e tij në pushtet.
“Disa biznesmenë, disa njerëz do të largohen tani prej nesh, por struktura jonë është shumë e qëndrueshme. Jemi shumë të bashkuar, shumë të fortë; kemi mësuar nga të qenët në opozitë. Shumica prej nesh kanë kaluar më shumë kohë në opozitë sesa në qeveri. Sa për pretendimet se nuk do ta pranojmë, se do të shpall rezultate të tjera, po jua them paraprakisht”, tha Vuçiç.
Vuçiç ishte sot ndër të parët që mbërriti në shtabin zgjedhor të kësaj liste, i ndjekur nga kryetari i Partisë Progresiste Serbe, Millosh Vuçeviç, Ana Bërnabiç, Nemanja Staroviç, Marko Gjuriç dhe zyrtarë e simpatizantë të tjerë të partisë.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi kanë përfunduar në orën 20:00 të së dielës, 25 tetor, ndërsa ka nisur numërimi i votave për përcaktimin e përbërjes së re të Parlamentit. Procesi zgjedhor u karakterizua nga pjesëmarrje e lartë, dukshëm më e madhe se në zgjedhjet e vitit 2023, si dhe nga raportime për incidente dhe parregullsi në disa qytete.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK) njoftoi se pjesëmarrja zyrtare deri në orën 18:00 ishte 64,89%, krahasuar me 51,93% në të njëjtën orë gjatë zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit 2023.
Në zgjedhje kishin të drejtë vote 6.451.292 qytetarë, ndërsa 18 lista zgjedhore, me gjithsej 2.418 kandidatë, konkurruan për 250 vendet në Parlamentin e Serbisë.
Pjesëmarrje e lartë u regjistrua në disa prej qyteteve kryesore. Deri në orën 18:00, në Novi Sad kishin votuar 68,97% e zgjedhësve, në Nish 69,09%.
Megjithatë, dita e zgjedhjeve u shoqërua edhe me raportime për parregullsi.
Vëzhguesit njoftun se kishte marrë mbi 300 raportime për parregullsi të mundshme, që lidheshin kryesisht me fotografimin e fletëve të votimit, problemet me listat zgjedhore, votimin familjar ose në grup dhe pengimin e vëzhguesve.
Në Novi Sad u raportuan dyshime për blerje votash dhe mbajtje të listave paralele të zgjedhësve. Policia ndërhyri në disa zona, ndërsa Komisioni Zgjedhor i qytetit konfirmoi se kishte marrë denoncime për parregullsi, të cilat po shqyrtoheshin. Në një Dljevac, votimi u ndërpre përkohësisht pasi, sipas autoriteteve zgjedhore, një qytetar tentoi të votonte duke përdorur disa karta identiteti. Policia ndërhyri dhe procesi rifilloi. /Euronews Albania