
Java e tetë e Serie A nuk sjell ndryshime në krye të renditjes, pasi Inter përmbys Fiorentinën dhe fiton në minutën e 97’. Një fund dramatik i ndeshjes, me golat e Thuram dhe Zielinski nga pika e bardhë, zhvlerëson golin e mrekullueshëm të Jimenez dhe i jep fitoren 2-1 skuadrës së teknikut Chivu. Kështu, Lazio dhe Inter mbeten në krye të renditjes me nga 22 pikë.
Kryesuesit rikthejnë në formacion Pio Esposito, i aktivizuar përkrah Thuram, ndërsa në portë luan Provedel. Për ish-portierin e Lazios kjo është ndeshja e parë si titullar, por ai bëhet fajtor në aksionin e golit të pësuar. Inter e nis ngadalë ndeshjen në “Meazza”, ndërsa Fiorentina ushtron presion të lartë dhe mbyll çdo hapësirë. Mastantuono dhe Njie paraqiten mirë në krahë. Inter merr jetë vetëm rreth minutës së 30’ dhe rrit presionin, duke u bërë i rrezikshëm me Mkhitaryan dhe Carlos Augusto. Megjithatë, Thuram është motori i vërtetë i sulmit zikaltër. Sulmuesi francez vë në vështirësi portierin De Gea, i cili bën pritje të shkëlqyera ndaj tij dhe Pio Espositos në fund të pjesës së parë. Vetëm portieri e shpëton Fiorentinën nga pësimi i golit, ndërsa skuadrat shkojnë në pushim me rezultatin 0-0, mes disa protestave për një prekje të dyshimtë të Pongracic brenda zonës.
Pjesa e dytë nis me dëmtimin e kroatit dhe një tjetër rast për Thuram, i cili sërish vë në provë portierin De Gea. Inter vazhdon të sulmojë dhe të krijojë raste, por nuk arrin të jetë konkret dhe të shënojë. Vanoli zemërohet për presionin e zikaltërve, por feston në minutën e 64’. Jimenez shpërthen papritur, godet nga jashtë zonës me efekt dhe mposht Provedel. Kështu, Fiorentina kalon në mënyrë të papritur në avantazhin 1-0, me portierin që mban përgjegjësi për golin. Ish-portieri i Lazios ndodhet jashtë vijës së portës dhe në pozicion të gabuar, duke mos arritur të lexojë trajektoren e vështirë të topit.
Për herë të shtatë këtë sezon, Inter gjendet në disavantazh dhe hidhet i gjithi në sulm, me shumë vrull, por pak qartësi në lojë. Bonny i jep energji të re repartit ofensiv, Thuram proteston për një penallti që dukej e qartë, ndërsa Carlos Augusto godet dy herë traversën. Goditjet e kampionëve të Italisë shkojnë në 26, por goli nuk vjen, ndërsa Gnonto është pranë dyfishimit të rezultatit. Provedel arrin ta devijojë topin në goditje këndi. Chivu rrezikon duke aktivizuar një treshe sulmuese, me Lavellin nga skuadra U23, dhe pikërisht në minutat shtesë lojtarët e tij arrijnë të barazojnë. Thuram, lojtari më i mirë i Interit, realizon me një goditje të saktë, si në bilardo, duke vendosur rezultatin 1-1.
Është minuta e 90’ dhe kanë mbetur edhe gjashtë minuta lojë, gjatë të cilave gjithçka mund të ndodhë. Në sekondat e fundit të ndeshjes, Valdepeñas rrëzon Thuram brenda zonës dhe shkakton penallti. Te pika e bardhë shkon Zielinski, i cili nuk gabon dhe shënon golin e fitores 2-1 në çastin e fundit. Kështu, Inter fiton në minutën e 97’, duke përmbysur edhe një tjetër rezultat në 15 minutat e fundit të ndeshjes. Është një fitore e karakterit për zikaltërit, të cilët ruajnë kreun e Serie A. Një javë para derbit, kampionët e Italisë kryesojnë me 22 pikë, në barazim me Lazion. Dyshja në krye konfirmohet, tashmë me katër pikë më shumë se Roma dhe pesë më shumë se Como. Fiorentina mbetet në vendin e parafundit, me vetëm katër pikë. Në të njëjtën kuotë janë edhe Udinese, Genoa dhe Parma, në pritje të ndeshjeve të sotme.