
Presidenti Donald Trump i ka kërkuar Kimberly Guilfoyle të japë dorëheqjen nga posti i ambasadores së SHBA-së në Greqi, pas një sërë raportimesh komprometuese, përfshirë pretendimin se ajo i kishte kërkuar një donatori republikan t’i shlyente borxhin e kartës së kreditit, deklaroi të martën sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë.
Në përgjigje të pyetjes së një gazetari mbi statusin e Guilfoyle, sekretarja e re për shtyp e Trump, Katie Zacharia, deklaroi: “I kemi kërkuar ambasadores Guilfoyle të japë dorëheqjen. Ajo ka qenë një aset shumë i vlefshëm për ekipin dhe i urojmë gjithë të mirat”.
Një ditë më parë, të hënën, Trump kishte deklaruar se po “shqyrtonte” mundësinë e shkarkimit të Guilfoyle.
“Nuk jemi të kënaqur”, kishte thënë ai.
As Guilfoyle dhe as avokati i saj nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment.
Një donator republikan, Eric Deters, i kishte deklaruar fillimisht The Wall Street Journal se Guilfoyle i kishte kërkuar t’i transferonte 100 mijë dollarë për të shlyer detyrimet e kartës së saj American Express, pak përpara seancës së konfirmimit të saj në Senat, në korrik të vitit 2025.
Sipas mesazheve që Deters i ka vënë në dispozicion The New York Times, Guilfoyle i kishte premtuar se do të ishte aleatja e tij besnike në rrethin politik të Trump, nëse ai do t’i dërgonte paratë.
Guilfoyle ka qenë më parë e fejuar me djalin e madh të presidentit, Donald Trump Jr., dhe ishte ndër ambasadoret e para të propozuara gjatë mandatit të dytë presidencial të Trump./ New York Times