
Mundësia e shkarkimit të Kimberly Guilfoyle nga pozicioni i saj si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Greqi po shqyrtohet nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio. Lajmi raportohet nga Associated Press.
Sipas agjencisë amerikane, akuzat kanë të bëjnë me veprime të mundshme të papërshtatshme dhe madje të paligjshme nga ambasadorja e SHBA-së në Greqi. Rasti ka shkaktuar pakënaqësi të fortë në nivelet më të larta të administratës Trump.
Një zyrtar i lartë amerikan, i cituar nga AP, tha duke folur në kushte anonimiteti, se Trump dhe Rubio janë "jashtëzakonisht të zemëruar" me ato që kanë dëgjuar për Guilfoyle. Ka të ngjarë që ata të vendosin brenda javës për hapat e tyre të ardhshëm.
Zyrtari pohoi se Rubio është veçanërisht i mërzitur nga situata. Bezdia e tij thuhet se përforcohet nga fakti se ai vizitoi Athinën javën e kaluar, dhe Guilfoyle e priti atë me një përqafim të ngrohtë pas mbërritjes së tij dhe e shoqëroi atë në shumicën, nëse jo në të gjitha, eventet e tij publike, në një kohë kur akuzat kundër saj ishin tashmë në qendër të vëmendjes.
Sipas Associated Press, diskutimi rreth të ardhmes së Guilfoyle është i lidhur me një seri botimesh të Wall Street Journal, të cilat zbukuan praktika të dyshuara që ngrenë çështje të etikës dhe shkelje të mundshme të ligjit.
Zbulimet e kësaj jave, sipas të cilave një donator republikan tha se zonja Guilfoyle i kishte kërkuar t’i paguante faturën e kartës së saj American Express në këmbim të aksesit te zyrtarë të lartë të administratës Trump, ishte akuza më e fundit për taktika presioni apo sjellje të hapur të papërshtatshme që janë ngritur ndaj saj.
E ardhmja e ambasadores amerikane në Athinë mund të vendoset në ditët në vijim, pasi thuhet se Trump dhe Rubio po shqyrtojnë opsionet e tyre të disponueshme.