Flash

Tre ditë para Botërorit, Infantino përfundon në gjykatë nga Platini: “Jam i moshuar për t’u rikthyer, por do të luftoj”

Michel Platini ka vendosur të paraqesë një kallëzim penal kundër presidentit të FIFA-s Gianni Infantino.

Lapsi.al 9 June 2026

Botërori është pranë, kanë mbetur vetëm tre ditë deri te fishkëllima e parë e turneut botëror, por FIFA dhe presidenti i saj, Gianni Infantino, rikthehen në qendër të vëmendjes jo për futbollin e luajtur, por për çështje drejtësie. Michel Platini ka vendosur të paraqesë një kallëzim penal kundër ish-sekretarit të tij të përgjithshëm në kohën e UEFA-s, duke e akuzuar për shpifje dhe për organizimin e manovrave të padrejta me qëllim ndikimin e zgjedhjeve pas largimit të Blatter nga presidenca e FIFA-s.

Akuzat e Platini: “Do të luftoj kundër atyre që më kanë dëmtuar”

Nëse Michel Platini ka vendosur ta çojë në gjykatë numrin një të futbollit botëror pikërisht në prag të Botërorit që nis më 11 qershor, kjo nuk është rastësi. Jehona që po shkakton padia e tij penale ndaj Gianni Infantinos shkon përtej përfshirjes së dy figurave të njohura të futbollit. Të hënën, më 8 qershor, legjenda e futbollit francez dhe ish-presidenti i UEFA-s u kërkoi avokatëve të tij të depozitonin në Paris një kallëzim kundër presidentit aktual të FIFA-s, Gianni Infantino, si dhe kundër pesë zyrtarëve zviceranë të lidhur me futbollin dhe prokurorinë zvicerane. “Në moshën 70-vjeçare jam shumë i vjetër për t’u rikthyer në botën e futbollit, por do të luftoj gjithmonë kundër atyre që më kanë bërë keq”, theksoi Platini për France Press.

Ky është kapitulli i fundit i një lufte të gjatë dhe helmuese brenda futbollit botëror, që vë përballë dy ish-aleatë të mëdhenj të kohës së UEFA-s: francezin Platini dhe ish-bashkëpunëtorin e tij, Infantino. Origjina e akuzave të Platini ndaj Infantinos lidhet me ngjarjet e vitit 2015, pas largimit nga presidenca e FIFA-s të Sepp Blatter, i përfshirë në një skandal të madh korrupsioni ndërkombëtar. Blatter dha dorëheqjen menjëherë dhe FIFA organizoi zgjedhje të reja. Në atë kohë Platini ishte president i UEFA-s dhe favoriti absolut për të marrë drejtimin e FIFA-s, ndërsa Infantino ishte sekretari i përgjithshëm i UEFA-s. Por pikërisht Infantino arriti të fitonte postin në vitin 2016, duke përmbysur çdo parashikim dhe duke lënë jashtë drejtimit të futbollit botëror edhe “Le Roi”.

Platini e çon çështjen në gjykatë: kallëzimi në prag të Botërorit

Akuzat e Platini, i cili që atëherë nuk ka ndërprerë veprimet ligjore kundër ish-krahut të tij të djathtë, lidhen kryesisht me një pagesë prej 2.5 milionë eurosh që FIFA kishte bërë në favor të tij. Kjo pagesë u kontestua nga autoritetet zvicerane dhe çoi në hapjen e një hetimi paralel me atë të Blatter, duke dëmtuar kandidaturën e francezit për presidencën e FIFA-s.

Ai u gjykua dhe u shpall i pafajshëm dy herë në Zvicër, por pavarësisht fitoreve ligjore, ai hetim e largoi nga çdo post institucional. Që prej asaj dite Platini i ka shpallur luftë Infantinos dhe drejtuesve të tjerë, si në rrugë penale ashtu edhe civile, duke kërkuar dëmshpërblime direkt nga FIFA. “Një kompensim për të gjitha manovrat e përdorura kundër meje”, sqaroi edhe një herë Platini. Dhe tani ka ardhur kjo padi e re, e cila pikërisht në prag të Botërorit po shkakton një tronditje të madhe, duke vënë sërish në diskutim figurën e kreut të FIFA-s, Gianni Infantino.

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI