Flash

PNUD hedh alarmin për të moshuarit në Shqipëri, po troket kriza humanitare

Lapsi.al 22 June 2026

Plakja e popullsisë po ndryshon gjithnjë e më shumë strukturën sociale në Shqipëri, por ndërkohë po shëndërrohet në një krizë shendetësore dhe humanitare. Të dhënat e Programit të Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë (PNUD) në vitin 2026 tregojnë se rreth 20% e popullsisë është mbi 65 vjeç, ndërsa me rritjen e kësaj grupmoshe po shtohen edhe sfidat për kujdesin ndaj tyre.

Familja vijon të jetë mbështetja kryesore, por roli i saj po bëhet më i vështirë. Të dhënat e PNUD tregojnë se për 43-49% e të moshuarve kujdeset njëri nga bashkëshortët dhe 32-45% e pjesës tjetër kujdesen fëmijët. Megjithatë, kjo strukturë po dobësohet nga emigracioni dhe ndryshimet sociale. Burrat mbështeten kryesisht tek gratë për kujdes, ndërsa gratë e moshuara janë më të ekspozuara ndaj vetmisë dhe shpesh mbeten pa mbështetje.

Për një pjesë të konsiderueshme, mungesa e familjarëve është një problem i përditshëm. Rreth 41% e të moshuarve që kanë nevojë për ndihmë të vazhdueshme jetojnë larg fëmijëve ose të afërmve, çka e bën më të vështirë përballimin e nevojave bazë. Gjendja shëndetësore përbën një tjetër sfidë të madhe. Shumica e të moshuarve vuajnë nga sëmundje kronike, ku 84% kanë probleme kardiovaskulare, 76% kufizime fizike dhe 61% artrit.

Një në pesë përballet edhe me probleme të shëndetit mendor. Në të njëjtën kohë, 68% e të moshuarve me varësi të lartë nuk ndihen të sigurt në banesat e tyre. Situata rëndohet nga mungesa e transportit publik për 61% të tyre, duke kufizuar aksesin në shërbimet shëndetësore, sidomos jashtë Tiranës. Vështirësitë ekonomike mbeten një pengesë e fortë për marrjen e shërbimeve. Rreth 13% e të moshuarve jetojnë me më pak se 10 mijë lekë në muaj, ndërsa 72% kanë të ardhura nga 10 mijë deri në 30 mijë lekë. Si pasojë, 67% deklarojnë se nuk mund të përballojnë një kujdestar privat.

Edhe shërbimet publike nuk arrijnë të plotësojnë nevojat në rritje. Qendrat rezidenciale dhe ato ditore përballen me mungesë personeli dhe nuk ofrojnë gjithmonë shërbime të nevojshme si fizioterapia apo kujdesi për demencën, ndonëse kërkesa për to është e lartë. Në këtë situatë, presioni reflektohet edhe në gjendjen emocionale të të moshuarve. Rreth 72% e atyre me varësi të lartë raportojnë stres dhe ankth, një problem që bëhet më i theksuar tek ata që jetojnë vetëm. Të dhënat tregojnë se plakja e popullsisë po kthehet në një sfidë të rëndësishme për politikat sociale, duke kërkuar më shumë mbështetje dhe shërbime për këtë kategori./Monitor

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI