
Partia Demokratike ka reaguar ndaj raportimeve se presidenti Bajram Begaj ka nisur konsultimet për zgjidhjen e krizës politike në vend, pas protestave të dhunshme që kanë përfshirë Tiranën gjatë ditëve të fundit.
Përmes një deklarate, PD ka kundërshtuar çdo përpjekje për një marrëveshje politike që nuk përfshin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare për përgatitjen e zgjedhjeve të reja.
Në deklaratë, opozita sulmon ashpër Presidentin Begaj, duke e cilësuar atë si një figurë në shërbim të kryeministrit dhe duke e akuzuar për përfshirje në afera me pronat e ushtrisë. Këto akuza paraqiten nga PD pa prova mbështetëse në deklaratë.
“Lajme të mediave të ndryshme informojnë se kukulla e Edi Ramës, Bajram Begaj, me porosi të bosit të tij ka filluar takimet dhe konsultimet për zgjidhjen e krizës, element keqësues i së cilës është edhe ai vetë”, thuhet në reagimin e demokratëve.
Sipas PD-së, zgjidhja e krizës politike duhet të nisë me plotësimin e kërkesave të studentëve dhe gjimnazistëve që protestojnë prej ditësh, si dhe të kërkesave të opozitës.
Konkretisht, demokratët kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës, krijimin e një qeverie kujdestare me mandat për organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut dhe të çdo politikani tjetër për të cilin organet e drejtësisë kërkojnë masa në kuadër të hetimeve për korrupsion.
Partia Demokratike paralajmëron se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje politike që shmang këto kushte.
“Partia Demokratike deklaron se ajo nuk do të njohë asnjë lloj negociate apo marrëveshjeje që bie ndesh me kërkesat e mësipërme apo që kërkon t’i zgjasë jetën Edi Ramës, kufomë e pakallur politike”, thuhet në përfundim të deklaratës.
Deklaratë e Partisë Demokratike
Lajme të mediave të ndryshme informojnë se kukulla e Edi Ramës, Bajram Begaj, me porosi të bosit të tij ka filluar takimet dhe konsultimet për zgjidhjen e krizës, element keqësues i së cilës është edhe ai vetë. Begaj, është bashkautor me Padrinon në afera të mëdha vjedhjesh klamoroze të pronave të ushtrisë dhe për këtë bashkëvjedhje u shpërblye me postin që mban dhe kërkon tashmë jo të zgjidhë, por të thellojë edhe më tej krizën, pavarësisht nga pasojat katastrofale të saj në vend.
Ndaj, në këto momente kritike për vendin, Partia Demokratike deklaron se:
Zgjidhja e krizës së rëndë të mungesës së legjitimitetit të qeverisë aktuale të krimit ka si kusht themelor dhe të panegociueshëm plotësimin e menjëhershëm të kërkesave të revoltës së studentëve e gjimnazistëve të Tiranës, si dhe të Partisë Demokratike e mbarë Shqipërisë:
1. Dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës.
Krijimin e një qeverie kujdestare me mandat përgatitjen e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare.
2. Heqjen e menjëhershme të imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut e cilitdo politikani që kërkojnë për veprën penale të korrupsionit organet e drejtësisë!
3. Partia Demokratike deklaron se ajo nuk do të njohë asnjë lloj negociate apo marrëveshjeje që bie ndesh me kërkesat e mësipërme apo që kërkon t’i zgjasë jetën Edi Ramës, kufomë e pakallur politike.