Flash

Kush është Luis de la Fuente, trajneri i Spanjës që mund të fitojë Botërorin pasi u punësua nga një njoftim në gazetë

Në vitin 2013, pasi mbeti pa punë, Luis de la fuente gjeti një vend pune duke iu përgjigjur një njoftimi në gazetë. Ishte Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) që kërkonte trajnerë për ekipet e moshave.

Lapsi.al 19 July 2026

Luis de la Fuente, trajneri aktual i kombëtares së Spanjës që do të luajë finalen e Botërorit ndaj Argjentinës, u bë i njohur në arenën ndërkombëtare pasi ndërtoi një nga skuadrat më dominuese të viteve të fundit, duke nisur nga një histori e pabesueshme. Në vitin 2013, pasi mbeti pa punë, ai gjeti një vend pune duke iu përgjigjur një njoftimi në gazetë. Ishte Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) që kërkonte trajnerë për ekipet e moshave.

Prej sa kohësh De la Fuente drejton Spanjën

Rrugëtimi i Luis de la Fuente është një ndërthurje mes futbollit dhe fatit. Pas shkarkimit nga Alavés në vitin 2011, ai mbeti pa skuadër, pa pankinë dhe pa oferta konkrete. Pikërisht atëherë nisi historia që sot mund ta çojë deri te titulli kampion bote me Spanjën.

Për rreth një vit e gjysmë ai qëndroi pa punë. Një ditë, ndërsa po lexonte një gazetë sportive, vuri re një njoftim të shkurtër ku thuhej se Federata Spanjolle kërkonte urgjentisht trajnerë për sektorin e moshave. De la Fuente tregoi se ndjeu një shtysë të papritur dhe vendosi të telefononte. Në anën tjetër të telefonit ishte Iñaki Sáez, koordinatori historik i ekipeve të moshave të Spanjës dhe ish-trajneri i tij te të rinjtë e Athletic Bilbaos. Rrethi u mbyll në mënyrë perfekte. De la Fuente dërgoi CV-në e tij dhe më 1 maj 2013 firmosi kontratën e parë me Federatën, me një periudhë prove prej vetëm tre muajsh për të treguar vlerat e tij.

Karriera si trajner përpara kombëtares së Spanjës

I lindur në Haro në vitin 1961 dhe ish-mbrojtës i majtë i Athletic Bilbaos, me të cilin fitoi dy tituj kampionë në vitet ’80, De la Fuente është konsideruar gjithmonë një “mësues futbolli”. Për afro dhjetë vjet ai drejtoi ekipet U-19 dhe U-21 të Spanjës, duke fituar Kampionatet Europiane të këtyre kategorive dhe duke formuar brezin që sot përbën boshtin e kombëtares së madhe. Rodri, Unai Simón, Pedri, Merino, Nico Williams dhe Lamine Yamal janë rritur nën drejtimin e tij që në moshë të re.

Megjithëse u prit me skepticizëm kur mori drejtimin e kombëtares së parë, për shkak të mungesës së eksperiencës në klubet elitare, ai iu përgjigj kritikëve me rezultate. Fitoi Nations League në vitin 2023, më pas Euro 2024, duke mposhtur Anglinë në finale, ndërsa tani e ka çuar Spanjën në finalen e Botërorit 2026, pas eliminimit të Francës në gjysmëfinale.

Çfarë e lidh De la Fuente me teknikun Scaloni

Lidhja mes Luis de la Fuente dhe Lionel Scaloni-t është e veçantë. Në vitin 2017, ish-mbrojtësi argjentinas u regjistrua në kursin UEFA Pro të organizuar nga Federata Spanjolle, ku një nga pedagogët kryesorë ishte pikërisht De la Fuente. Me kalimin e viteve, të dy krijuan një marrëdhënie miqësie dhe respekti të ndërsjellë, duke ndarë edhe të njëjtën filozofi futbolli, ku grupi, menaxhimi i dhomave të zhveshjes dhe aspekti njerëzor kanë përparësi ndaj individualiteteve. 

Ata kanë edhe një tjetër të përbashkët: asnjëri nuk kishte drejtuar ndonjë klub të madh përpara se të merrte drejtimin e kombëtareve respektive, duke u formuar si “njerëz të federatës”. Edhe Scaloni ka një lidhje të fortë me Spanjën. Ai kaloi vitet më të mira të karrierës në La Liga, jeton në Mallorca, ka bashkëshorte spanjolle dhe fëmijët e tij kanë lindur në Spanjë.

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI