
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP rrëzoi me shumicë votash të mërkurën kërkesat e dy kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm për përjashtimin e anëtarëve të KLP-së nga vendimarrja; duke zhbllokuar kështu një proces që kishte hyrë prej javësh në ngërç.
Gjatë mbledhjes plenare që zgjati për gati gjashtë orë u diskutua lidhur me kërkesat e kandidatëve, kërkesat e mëvonshme mes anëtarëve të këshillit për përjashtimin e njëri-tjetrit, si dhe për procedurat e ndjekura dhe votimet e ndryshme të shumicës për raste të ngjashme.
Në fillim të mbledhjes, anëtaret Ledina Riza dhe Arta Mandro vërejtën se anëtari Zeqir Hoda, i përjashtuar nga i gjithë procesi, kishte bërë kërkesë për t’u njohur me gjithë aktet.
“Nëse shkresa e protokolluar nga Hoda implikon veprimet e Këshillit, mos duhet që më parë të shikojmë se çfarë kërkon në këtë kërkesë?”, parashtroi Mandro, duke theksuar se i vetmi interes i saj lidhej me një proces të drejtë dhe të ligjshëm.
Megjithatë, shumica e anëtarëve e përbërë nga Sokol Stojani, Vatë Staka, Moisi Duda, Erind Gërmenji, Erind Mërkuri dhe Olger Eminaj kërkuan që të vijohej me shqyrtimin e kërkesave të kandidatëve Ylli Pjetërnikaj dhe Arta Marku, si dhe për votimin e tyre.
Kryetarja e Këshillit, Mirela Bogdani lexoi kërkesën e kandidatit Ylli Pjetërnika, i cili kërkonte përjashtimin e anëtarit të KLP-së, Vatë Staka nga procesi i përzgjedhjes me dyshimet për konflikt interesi.
Staka e cilësoi të pabazuar dhe të paligjshme kërkesën e Pjetërnikajt duke vërejtur se më parë ai nuk kishte ngritur pretendime kundër tij.
“Shikoni procesverbalet dhe mendimet e mia për caktimet e tij. Kam marrë pjesë në katër votime për këtë prokuror, edhe për emërimin e tij si pedagog në Shkollën e Magjistraturës. Në asnjë prej këtyre procedurave nuk ka paraqitur kërkesë për përjashtimin tim,” tha Staka.
Në përfundim të diskutimeve mes anëtarëve, kërkesa e Pjetërnikës u hodh në votim. Për përjashtimin e Stakës votuan vetëm dy prej anëtarëve, Ledina Riza dhe Arta Mandro.
“Këshilli, nuk e tregoi siç duket, maturinë e tij në këtë proces dhe hyri në një rrugëtim të një lufte me njëri-tjetrin për çështje të karakterit, mbase të egos, po mbase dhe mund të jem e gabuar,” tha Mandro përpara votimit.
Shumica e përbërë nga anëtarët Sokol Stojani, Erind Gërmenji, Erind Mërkuri, Moisi Duda, Olger Eminaj dhe kryetarja Mirela Bogdani votuan kundër kërkesës së Pjetërnikës.
Më vonë, u vijua në shqyrtimin e kërkesës së kandidates Arta Marku për përjashtimin e Stojanit nga procedura e përzgjedhjes. Marku ka parashtruar në kërkesën e saj se kishte qenë ajo që e kishte emëruar Stojanin në një pozicion drejtues në Prokurorinë e Përgjithshme dhe më vonë e kishte liruar përmes një urdhri individual. Ajo pretendon se Stojani gjendet për këtë shkak në kushtet e konfliktit të interesit.
Stojani e kundërshtoi si të pabazuar kërkesën e Markut. Ai prashtroi se urdhri i lirimit i nënshkruar prej Markut, kishte qenë në funksion të kërkesës së tij për dorëheqje nga pozicioni drejtues që kishte mbajtur. Sipas Stojanit, fakti që kishin pasur qëndrime të ndryshme për një çështje profesionale, nuk mund të çojë në konflikt personal.
“Situata konfliktuale nuk prodhon konflikt interesi. Nëse do të ndiqet kjo logjikë, atëherë çdo prokuror që i është shfuqizuar vendimi nga drejtuesi është në konflikt interesi. Kërkesa e Markut provon një marrëdhënie profesionale, por nuk provon një marrëdhënie, konflikt personal, apo paragjykim,” tha Stojani.
Kërkesa e Markut u rrëzua me votat e pesë anëtarëve; Vatë Staka, Moisi Duda, Erind Gërmenji, Erind Mërkuri dhe Olger Eminaj. Në favor të saj votuan Ledina Riza, Mandro dhe kryetarja Bogdani. /Marrë nga Reporter.al