
Çfarë po ndodh nuk është vetëm protestë, nuk është vetëm revoltë. Është buçima e fatalitetit të një shoqërie të marrë peng me dekada, dhe të pushtuar me dhunë nga një regjim i përçudnuar politik,
Janë brezat e vuajtur dhe të sakrifikuar në vetëmohim të diktaturës enveriste;
Janë studentët familjet e Dhjetorit 90 që u ngritën me të njëjtin ideal e pasion, si të rinjtë sot, kundër komunizmit vëllavrasës;
Janë brezat e lindur dhe të rritur në tranzicionin e çartur të një sistemi as demokratik dhe as të lirë e të drejtë;
Janë shqiptarët që nuk marrin drejtësi, nuk gjetën asnjëherë zgjidhje nga zyrat e sajuara të maliqëve që e përdorin ligjin sipas oreksit dhe pretekstit të partisë.
Janë brezat që nuk morën meritat që u takojnë në profesion, vendimmarrje, shkollim, e në çdo hapësirë publike
Janë njerëzit që u është rrëmbyer prona, toka, pasuria për t’iu shpërndarë me pa të drejtë oligarkëve, që mbajnë me para pushtetin, i cili blen vota për bukën e gojës dhe shet vendet e punës.
Janë shqiptarët që u është shkelur e drejta për profesion dhe dinjitet ekonomik, social e shëndetësor;
Janë fatet njerëzore të një shoqërie që dhunohet çdo ditë nga një klikë e klasë politike e përlyer, e ndërlidhur me shumë interesa të vogla e të mëdha për tu pasuruar pa mëshirë, pa gardhe morale e logjike, në kurriz të qindra mijëra njerëzve të shtypur, të çorientuar, të dëbuar, sepse për ta nuk duhet të funksionojnë të drejtat, Kushtetuta, ligji i barabartë për të gjithë, por llogariten vetëm si taksapagues dhe numra në lista votuesish.
Dikur, etërit e nomenklaturës e sot pasardhësit e tyre, të çimentuar me pasuri, imunitet e pushtet, me dhe pa status patronazhisti, me dhe pa imunitetin e ndërkombëtareve, guxojnë të na diktojnë se Shqipëria është në vasalitetin e tyre dhe pushtetin mund ta shtrëngojnë e shijojnë fort deri dhe 50 vite.
Por historia ka ligjësitë e veta. Ajo rezervon gjithmonë një afat për sundimtarët dhe një orë kur heronjtë ngrihen dhe rrezojnë piramidën e tyre.
Sado i vogël te jetë një vend në territor e i tkurrur në popullsi, sikurse Shqipëria e 2026, Zoti është planifikuesi më i mirë. Ai ndez dritën e guximit, kurajës dhe besimit edhe aty ku errësira e zullumqarëve duket e pafundme sepse flaka e qiriut nuk i është shuar kurrë këtij kombi edhe në limitet e ekzistencës së tij.
Dhe ja ku zgjohet si uragan, me guxim eposi me frymëzim legjendash , brezi Z , të rinjtë shqiptarë, të rinjtë më të bukur dhe më dinjitozë në botë. Ata nuk po djegin vendin, ata po ndezin çdo orë shpresën dhe besimin për Shqipërinë tonë; ata nuk po dhunojnë por po grushtojnë emblemat e korrupsionit duke na dhënë të gjithëve mësimin më të mirë të qytetarisë dhe të vetëdijes kombëtare se shqiptarët do t’ia dalin.
Të rinjtë meritojnë të jetojnë mrekullinë e lirisë dhe jo të mbahen peng e të çojnë dëm rininë e tyre në punësimin e trafiqeve të drogës, krimit, jetës së eskortave, nepotizmit dhe korrupsionit.
Ata sot po ndeshen me forcë e burrëri të pashembullt me terrorin barbar.
Atdheu nuk vret, por vret pushteti. Atdheu është shtëpia e të gjithëve, por Shqipërisë i dolën zot, të rinjtë!!
Ikni pra dhe shpëtoni kokën, sepse emrin, historia do jua shënjojë ndër shekuj me turp dhe neveri tradhtarësh. ©LAPSI.al