Flash

Fundi i ‘turizmi patriotik’: Shqiptarët e Kosovës braktisin Durrësin këtë sezon

Në plazhin e Durrësit, numri i turistëve nga Kosova është rrudhur ndjeshëm këtë sezon për shkak të rritjes së çmimeve, forcimit të lekut kundrejt euros dhe mundësive më të mëdha për të udhëtuar drejt vendeve të tjera.

Lapsi.al 19 July 2026
plazhi i durresit
Plazhi i Durrësit. Foto: Gëzim Kabashi.

Në rrugën “Pavarësia”, që përshkon për gati 4 kilometra plazhin e Durrësit, shqiptarët e Kosovës nuk janë më turistët e përhershëm. Rruga e mori emrin pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe njihet sot për hotelet dhe lokalet e shumta në vijë paralele me detin Adriatik.

“Në fillim të gjithë vinin për pushime në Durrës dhe një pjesë takonin edhe familjarët durrsakë që i pritën në vitin e vështirë 1999. Atëherë e quanin turizëm patriotik,” kujton Cen Hysniu, pronari i njërit prej lokaleve të zonës.

Turistët nga Kosova ishin pushuesit besnikë të plazhit të Durrësit për gati dy dekada, por gjatë këtij sezoni, pronarët e hoteleve dhe ekspertët e turizmit vërejnë një rrudhje të dukshme të numrit të tyre. Arsyet sipas tyre lidhen me forcimin e monedhës vendase kundrejt lekut, mundësinë e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës dhe zgjedhjen e plazheve të Shëngjinit dhe Velipojës për shkak të distancës më të shkurtër.

Mark Gjana, menaxher i një hoteli në plazhin e Durrës, i tha BIRN se ndonëse sezoni nuk ka nisur ende plotësisht, ka më pak prenotime nga shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ai vlerëson se përveç rritjes së çmimeve në strukturat turistike, këtë trend e ndikon së tepërmi edhe rënia e euros.

“Monedha europiane që përdorin kosovarët vlen gjithnjë e më pak në Shqipëri, dhe nuk janë të pakët ata që i drejtohen plazheve të Bullgarisë apo të Greqisë, vende që përdorin euron, njëlloj si Kosova,” theksoi Gjana.

Kosovarët nuk do të jenë mungesa e vetme e këtij sezoni. Pas disa viteve me një frekuentim të lartë, këtë verë edhe pushuesit italianë kanë zgjedhur alternativa të tjera.

Eksperti i turizmit, Edmond Basho thotë se numrit në rënie të kosovarëve për pushime, këtë verë u janë shtuar edhe familjet apo grupet e vogla nga Italia, mjaft të pranishme në vitet e shkuara.

“Pjesa më e madhe e të huajve që pushojnë në Durrës vijnë me grupe të mëdha, kryesisht nga Polonia dhe Çekia, por nuk mungojnë edhe norvegjezët,” tha Basho për BIRN.

“Sipas të dhënave që kemi, italianët u janë rikthyer plazheve të veta në jug të Italisë,” shtoi ai.

Mungesën e prenotimeve nga turistët kosovarë për këtë verë e konfirmon edhe Stefan Mani, i cili menaxhon një hotel në bregdet.

“Këtë verë nuk kemi thuajse aspak mysafirë nga Kosova apo nga Maqedonia,” tha ai.

Por ai shton se ndryshe nga vite më parë, tani ka më shumë turistë nga vendet e Ballkanit dhe Europa Qendrore.

“Te ne kanë filluar të mbërrijnë grupet me qëndrime 7 ditore, që vijnë nga Bosnja, Ukraina, apo Polonia,” tha Mani, i cili ankohet se ende nuk është zgjidhur problem i sipërfaqeve për plazhet private.

Sipas menaxherit të hotelit, hapësirat më të mëdha të rërës i kanë zënë baret dhe restorantet në shëtitoren bregdetare, megjithëse sipas rregullores së bashkisë duhet të jetë e kundërta.

Shëtitorja e përuruar vitin e kaluar është pritur mjaft mirë nga pushuesit. Por shqetësimi I tyre lidhet me vendosjen e disa barakave-kioska, që janë instaluar në pjesën e rërës si shtojca të bareve e restoranteve pranë shëtitores.

“Përveçse ngushtojnë hapësirat e rërës për pushuesit, ato rrezikojnë që në të ardhen të kthehen në lokale me struktura muresh e betoni,” përfundoi Mani./Reporter.al

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI