
Një incident me thikë ka alarmuar një shkollë në Stamboll të martën në mëngjes, më 6 tetor, ku një 15-vjeçare ka plagosur disa bashkëmoshatarë. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:40 në një shkollë të mesme në lagjen Başakşehir.
Pas incidentit, në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, ndërsa nxënësit e plagosur u transportuan në spital për të marrë trajtim mjekësor. Ndërkohë, autorja e dyshuar, nxënëse e klasës së 10-të, është arrestuar.
Sipas deklaratës së Guvernatorit të Başakşehirit, Cemil Özgür Onegi, fillimisht u raportua se shtatë nxënëse kishin mbetur të plagosura nga sulmi me thikë. Ato u dërguan në Spitalet e Qytetit Başakşehir Çam dhe Sakura, ndërsa tre prej tyre, sipas vlerësimeve të para mjekësore, ndodhen në gjendje kritike.
Edhe Zyra e Guvernatorit të Stambollit konfirmoi se incidenti nisi pas një përleshjeje mes nxënësve. Autoritetet kanë nisur hetime për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa vijojnë procedurat gjyqësore dhe administrative lidhur me ngjarjen.