Flash

Euro kap sot tjetër minimum historik

Lapsi.al 8 June 2026

Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut e ka nisur javën në rënie të mëtejshme dhe ka prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 95.19 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Kursi i Euros duket tashmë i orientuar drejt kufirit të 95 lekëve, i nxitur nga rritja e pritshme e ofertës valutore për shkak të sezonit veror.

Kursi Euro-Lek ka rënë me 1.6% që nga fillimi i vitit 2026, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në 2.8%.

Sipas agjentëve të tregut, rënia e Euros po vazhdon të nxitet nga një ofertë e lartë e valutës në treg, ndërsa kërkesa nuk arrin të ndjekë të njëjtin ritëm, pavarësisht blerjeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë.

Banka Qendrore ka luajtur një rol të rëndësishëm në tregun valutor në dy vitet e fundit, duke tërhequr nga tregu më shumë se dy miliardë euro. Kjo e ka frenuar pjesërisht rënien e Euros, që në mungesë të kërkesës shtesë të Bankës Qendrore do të kishte arritur nivele edhe më të ulëta.

Megjithatë, rritja e inflacionit mund ta çojë Banën e Shqipërisë në një pikë dileme. Sipas shifrave zyrtare të INSTAT, për majin inflacioni arriti nivelin 3%, që është edhe objektivi pikësor i Bankës Qendrore.

Deri tani, ndërhyrjet në tregun valutor ishin motivuar kryesisht me objektivin e inflacionit, për të frenuar efektin deflacionist të inflacionit të importuar mbi çmimet e konsumit në ekonominë shqiptare.

Tashmë që inflacioni është rikthyer në objektiv, vështirë se ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë mund të mbështeten më mbi argumentin e stabilitetit të çmimeve. Në rast se Banka Qendrore tërhiqet nga ndërhyrjet në tregun valutor ose të paktën i redukton këto ndërhyrje, gjasat janë që rënia e Euros të vazhdojë, të paktën gjatë verës, për shkak të rritjes së pashmangshme sezonale të ofertës.

Forcimi i mëtejshëm i Lekut mund të japë një kontribut pozitiv në kontrollin e inflacionit, që pritet të vazhdojë rritjen, për shkak të çmimeve më të larta të karburanteve dhe ndikimit të tyre në kostot e prodhimit.

Por, nga ana tjetër, një dobësim i mëtejshëm i Euros do të godiste edhe më shumë sektorët eksportues të ekonomisë, duke filluar nga vetë turizmi. Zhvlerësimi i Euros i ul të ardhurat në Lekë dhe tkurr marzhet e eksportuese, duke i shtyrë drejt rritjes së çmimeve dhe humbjes së konkurrueshmërisë. /monitor 

Burimi: Banka e Shqipërisë

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI