Flash

E gjuajtën me vezë në New York, Rama sulmon shqiptarët në diasporë: Pula histerike!

Lapsi.al 25 September 2026

Rama pas sulmit me vezë në New York: “Nuk më ndalin me baltë, vezë dhe jargë”
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidentit në New York, ku u sulmua me vezë gjatë një aktiviteti, duke iu përgjigjur ashpër personave që, sipas tij, tentojnë ta pengojnë në misionin e tij politik.

Në një reagim të gjatë, Rama u ndal edhe te simbolika e flamurit kombëtar, duke deklaruar se e ka ngritur atë “më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës”.

“Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës”, shkruan Rama.

Kryeministri deklaroi se sulmet me vezë, baltë apo fyerje nuk do ta ndalin në atë që e cilëson si mision për integrimin europian të Shqipërisë.

“Atij që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe”, shprehet ai.

Një pjesë të rëndësishme të reagimit Rama ia kushtoi edhe luftës kundër korrupsionit dhe reformës në drejtësi. Sipas tij, rezultatet e kësaj lufte lidhen drejtpërdrejt me ndërtimin e një sistemi institucional që është në gjendje të veprojë edhe ndaj korrupsionit brenda vetë sistemit.

“Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!”, shkruan Rama.

Kryeministri thekson se, sipas tij, Shqipëria e sotme është ndryshe nga ajo e së kaluarës dhe se progresi në luftën kundër korrupsionit po vlerësohet edhe në raportet me Bashkimin Europian.

“Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë”, shprehet Rama.

Në fund të reagimit, kryeministri përdor një gjuhë ironike ndaj kundërshtarëve të tij, duke i akuzuar se po përpiqen të shfrytëzojnë debatin për korrupsionin për ta goditur politikisht.

Rama e mbyll reagimin duke ironizuar edhe mënyrën e të shkruarit të një prej kritikëve të tij, duke e cilësuar si një tekst të shkruar “me këmbët e pulës”.

DEKLARATA E PLOTE 

Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës. Kurse atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni! Dhe le ta dëgjojnë e ta mbajnë mirë vath në vesh meqë kujtojnë se mposhtem unë dot me “bombat çudibërëse” që amplifikojnë në kupë të qiellit ditë e natë fjalën korrupsion: Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit! Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë, ndërkohë që pulat histerike të katundit tonë kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik, të cilët i gënjen mendja sa një vezë, se do të më ndalin mua me llogjet e pafundme për korrupsionin që po luftohet nga vetë sistemi që po ndërtojmë, apo me sharjet e mallkimet folklorike si të këtij sqepit bashkëngjitur, që e shkruan shqipen me këmbët e pulës😁

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI