Flash

Ç'po ndodh në Serbi? Pjesëmarrje masive në zgjedhjet e kësaj të diele

Lapsi.al 25 October 2026

Ç'po ndodh në Serbi? Pjesëmarrje masive në zgjedhjet

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi është regjistruar pjesëmarrje e lartë në votime, teksa ka raportime për parregullsi dhe për incidente.

Sipas organizatës joqeveritare që vëzhgon procesin, Crta, deri në orën 16:00 votuan 56.4 për qind.

Krahasuar me zgjedhjet paraprake parlamentare dalja deri në orën 16:00 është 14 për qind më e lartë.

Përditësimi i fundit sa i përket daljes në zgjedhje nga Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë është bërë orë më parë, kur u raportua për 34.55 për qind pjesëmarrje në zgjedhje deri në mesditë.

Në këto zgjedhje, të tretat parlamentare në pesë vjetët e fundit, një lëvizje studentore e dalë nga një nismë qytetare po synon t’i japë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Vendvotimet janë të hapura nga ora 07:00 dhe qytetrët e Serbisë mund të votojnë deri në orën 20:00. Të drejtë vote kanë 6.450.523 qytetarë. Votimi po zhvillohet në 8.392 vendvotime, prej të cilave 93 ndodhen jashtë vendit.

Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit në fund të shtatorit. Meqë nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, ai tani synon të bëhet kryeministër, post që e mbajti nga viti 2014 deri kur u zgjodh president, më 2017.

Gjatë procesit zgjedhor janë regjistruar disa incidente në Serbi.

Avokati i Popullit i Serbisë tha se ka pranuar një numër të madh të ankesave nga qytetarët, kryesisht të lidhura me konfliktet dhe incidentet afër qendrave të vendvotimeve, përfshirë pretendime të sulmeve ndaj më të moshuarve.

Ai dënoi “çdo formë të dhunës ndaj të moshuarve, si dhe sulmet ndaj anëtarëve të familjeve të politikanëve gjatë zgjedhjeve parlamentare, pavarësisht nga cila parti janë”.

Komisionari për Mbrojtje dhe Barazi, Millan Antonijeviq, raportoi në X për Euronews se nëna e Aleksandar Vuçiqit u sulmua në një vendvotim.

Ai shkroi se ky incident paraqet “një vijë të kuqe që kurrë nuk duhet të kalohet”.

Policia serbe po ashtu ka ndërhyrë në një lagje të Novi Sadit ku u mblodhën qytetarë. Disa persona thanë se kanë parë njerëz me para dhe zarfe. Ndërkaq, organizata Crta tha se gjashtë burra dhe një grua penguan një vëzhguese para një qendre votimi, duke e ofenduar.

Ndërkaq, në Pançevo, një grup i personave të maskuar kanë sulmuar disa të rinj para një qendre votimi, kanë raportuar mediat lokale.

Sipas një videoje të publikuar nga Pancevo.city, personat e maskuar me shufra hekuri sulmojnë të rinjtë dhe njëri prej të rinjve shihet i gjakosur në fytyrë.

Organizatat që po vëzhgojnë zgjedhjet kanë raportuar edhe për parregullsi zgjedhore.

“Medalja tjetër e ditës së zgjedhjeve është përshkruar me parregullsi që ne kemi regjistruar dhe të cilat ende po analizohen dhe të cilat mund të ndikojnë në rezultatin zgjedhor”, Rasha Nedelkov nga Crta.

Kjo organizatë ka vëzhgues në 500 qendra votimi në Serbi.

“Kemi regjistruar presion ndaj votuesve në tri qendra votimi, 18 për qind janë parregullsi procedurale, parregullsi të lidhura me integritetin e votimeve janë regjistruar në 17 për qind të vendvotimeve. Në mesin e tyre, më të theksuara janë: fotografimi i fletëvotimit, dështimi për të përdorur llambat ultravjollcë dhe votimi pa dokumente të vlefshme”, tha ai.

Nedelkov tha se disa incidente janë regjistruar në pjesë të ndryshme të Beogradit, Vranjës Lazarevcit dhe Novi Sadit, përfshirë dy raste të presionit ndaj vëzhguesve të organizatës.

Zgjedhjet po ndiqen nga afër nga Bashkimi Evropian, i cili e ka kritikuar Serbinë për prapakthim në demokraci nën udhëheqjen e Vuçiqit.

Rezultat i pasigurt

Në një klimë përçarjesh të thella dhe tensionesh shoqërore, Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit synon ta ruajë pushtetin pas dy vjetësh protestash masive kundër Qeverisë dhe korrupsionit në mbarë vendin.

Por, për herë të parë në shumë vjet, ajo përballet me një sfidues të vërtetë: Listën Studentore, një lëvizje e dalë nga këto protesta.

“Këto janë zgjedhjet e para në më shumë se një dekadë, rezultati i të cilave është vërtet shumë i pasigurt”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Vladimir Bilçik, ish-raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë.

Sondazhet e deritanishme tregojnë se elektorati në Serbi është kryesisht i ndarë mes atyre që mbështesin një koalicion të gjerë të ndërtuar rreth partisë në pushtet dhe atyre që përkrahin lëvizjen studentore.

Studentët nuk kanë udhëheqës formalë, ndërsa lista e tyre zgjedhore përbëhet nga figura jopartiake, shumica prej të cilave janë profesorë universitarë.

Më 1 nëntor 2024, shembja e strehës së rindërtuar të stacionit hekurudhor të qytetit shkaktoi vdekjen e 16 personave. Dyshimet për korrupsion në punimet e njërit prej projekteve kryesore të Qeverisë, të udhëhequr nga kompani kineze, nxorën protestuesit në rrugë në mbarë vendin.

Qeveria i mohoi akuzat, ndërsa protestuesit u përballën me dhunë policore dhe arrestime. Një nga incidentet më të rënda ndodhi më 15 mars 2025, kur autoritetet dyshohet se përdorën në mënyrë të paligjshme një armë zanore kundër demonstruesve paqësorë.

Vuçiq përballë Listës Studentore

Mbi 6.4 milionë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin mes 2.418 kandidatëve për 250 vendet e Parlamentit. Megjithatë, gara pritet të zhvillohet kryesisht mes partisë së Vuçiqit dhe Listës Studentore.

Në qendër të saj janë vazhdimi i politikave të Vuçiqit, përfshirë lidhjet e ngushta me Rusinë dhe Kinën, dhe zotimi i studentëve për ta luftuar korrupsionin.

Disa ligjvënës amerikanë kanë paralajmëruar se Moska mund të luajë rol aktiv në zgjedhje, ndërsa Parlamenti Evropian ka ngritur shqetësime për operacionet e ndikimit rus në Serbi.

“Rusia po vë në dispozicion burimet, taktikat dhe metodat e saj më të mira për të monitoruar, shtypur dhe penguar qytetarët e Serbisë, si dhe lëvizjen e fuqishme studentore që dëshiron të rivendosë sundimin e ligjit në vend”, tha për REL-in kongresisti republikan Joe Wilson.

Përveç lidhjeve të ngushta me Rusinë, furnizuesen kryesore të Serbisë me gaz, Vuçiqi është përpjekur t’i forcojë marrëdhëniet me Kinën, një investitore e madhe në vend, duke ruajtur njëkohësisht synimin e kahershëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai ka synuar gjithashtu t’i përmirësojë raportet me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Gjatë fushatës, ai u zotua se do ta vazhdojë këtë kurs të politikës së jashtme, përfshirë refuzimin për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, pavarësisht thirrjeve të BE-së.

Lëvizja studentore, ndërkaq, e ka lënë politikën e jashtme në plan të dytë. Megjithatë, ajo ka kundërshtuar sanksionet ndaj Rusisë dhe ka përsëritur mbështetjen për qëndrimin zyrtar të Beogradit kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Kjo tregon se edhe studentët nuk janë në gjendje t’i shpëtojnë kurthit të politikës nacionaliste të Serbisë, e cila ndërtohet mbi mitin e Kosovës”, tha për REL-in profesori nga Beogradi, Zharko Koraq.

Fushata zgjedhore është shoqëruar me shqetësime në rritje për manipulime të mundshme në votimet e së dielës. Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka zbuluar se rreth 500.000 persona janë regjistruar për të votuar pa adresë të plotë.

REL-i ka gjetur gjithashtu se qindra votues janë regjistruar në objekte publike, përfshirë qendra të punës sociale, si dhe në shtëpi ku nuk mund të banonin aq shumë persona. Autoritetet i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Hulumtimet kanë nxjerrë në pah edhe rritjen, para votimit, të numrit të personave me të drejtë vote në zgjedhjet serbe në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.

Serbët etnikë në të dyja vendet konsiderohen burim i rëndësishëm mbështetjeje për partinë e Vuçiqit.

Zgjedhjet e fundit në Serbi, të mbajtura më 2023, u pasuan nga protesta të shumta, pasi vëzhguesit ndërkombëtarë raportuan parregullsi, përfshirë transportimin me autobusë të votuesve nga Bosnje e Hercegovina fqinje dhe frikësimin e votuesve.

Një grup dypartiak senatorësh amerikanë u ka bërë thirrje autoriteteve serbe të sigurojnë kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, duke iu referuar “shenjave shqetësuese” para votimit të 25 tetorit.

Deklarata e publikuar më 21 tetor nga Komiteti i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë përmendi raportimet për përgjim të paligjshëm të anëtarëve të opozitës dhe përpjekjet për të diskredituar e penguar misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve.

Një analizë e pavarur forenzike nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë ka konfirmuar gati 20 raste të përdorimit të programeve të paligjshme të përgjimit që nga fillimi i vitit 2026.

Opozita dhe studentët i akuzojnë autoritetet për këto përgjime, ndërsa zyrtarët qeveritarë mohojnë se po spiunojnë kundërshtarët e tyre.

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka angazhuar 14 ekspertë dhe 30 vëzhgues afatgjatë për zgjedhjet në Serbi, ndërsa ditën e votimit do t’u bashkohen edhe 300 vëzhgues afatshkurtër.

Gara mes SNS-së së Vuçiqit dhe Listës Studentore pritet të jetë e ngushtë, por sondazhet japin rezultate të ndryshme.

Faktor Plus e nxjerr listën e Vuçiqit përpara, me 48.6 për qind kundrejt 37.1 për qind për studentët. Ndërkaq, platforme serbe per analiza politike dhe sondazhe, NSPM, u jep epërsi këtyre të fundit, me 44.4 për qind kundrejt 41.7 për qind.

Për Kosovën, megjithatë, ndryshimi i pushtetit në Beograd nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht ndryshim të qëndrimit ndaj shtetësisë së saj. Siç tregojnë edhe qëndrimet e studentëve për politikën e jashtme, kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës mbetet pikë e përbashkët mes dy blloqeve.

Në maj, lëvizja studentore e konkretizoi këtë qëndrim përmes një memorandumi, në të cilin e quajti Kosovën “pjesë të patjetërsueshme dhe përbërëse” të Serbisë.

Sipas Marko Savkoviqit, bashkëpunëtor i Qendrës për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Beograd, kundërshtimi i shtetësisë së Kosovës nuk filloi me Vuçiqin dhe nuk ka gjasa të përfundojë me të. Ai vlerëson se hapësira politike për një qasje thelbësisht tjetër ndaj statusit të Kosovës mbetet shumë e kufizuar.

“Kur bëhet fjalë për kundërshtimin e vetë shtetësisë së Kosovës si koncept, kjo është sigurisht politikë shtetërore dhe këtu mund të pritet njëfarë vazhdimësie, kushdo që të jetë në pushtet në Serbi. Opsionet politike që e pranojnë gjendjen de facto, sepse Kosova de facto është shtet, janë të pakta, janë në margjinat politike”, thotë Savkoviq për programin Expose të Radios Evropa e Lirë. /Marrë nga Radio Evropa e Lirë

Të këshilluara

ide

Revolta si shpresa e fundit

Revolta studentore dhe e të rinjëve përgjatë javës së fundit në Shqipëri, përveç që shpërfaqi dhu...

11:19 Agon Hamza

Krimi i organizuar financon kullat e kryeministrit jo protestën ndaj tyre

Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës

10:14 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

14°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI