
Gjykata e Apelit e Tiranës ka rrëzuar vendimin e gjyqtares Miranda Naka, një nga masat gjyqësore që e riktheu në ngërç administrimin e Aeroportit të Vlorës vetëm pak ditë pasi Gjykata e Lartë i kishte rikthyer MABCO-s të drejtat e votës si ortak mazhoritar.
Vendimi është një tjetër episod në betejën juridike për kontrollin e shoqërisë koncesionare VIA, e cila tregon se MABCO u përjashtua në mënyrë të padrejtë nga kantieri.
Bëhet fjalë për masën e sigurimit të padisë të dhënë më 5 qershor 2026 nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës. Gjykata urdhëroi ruajtjen e “status quo”-së juridike, korporative dhe administrative të Vlora International Airport, duke marrë si bazë kontratën e 3 prillit 2025, sipas së cilës MABCO konsiderohej me 51% dhe 2A Group me 49% të kuotave.
Masa shkonte edhe më tej. Ajo pezullonte mbledhjen e Asamblesë së Ortakëve të parashikuar për 6 qershor dhe ndalonte shkarkimin e administratorit Vegim Hoxha, si dhe emërimin e një administratori tjetër. Po ashtu, ndalonte vendimmarrjen për ndryshimin e statutit, njohjen e kontratave të pamiratuara më parë nga VIA, ndryshimin e organeve drejtuese dhe kontratat e huasë.
Vendimi ishte kundër interesit të aeroportit të Vlorës. Vetëm dhjetë ditë më parë, më 26 maj, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë kishte rrëzuar kërkesën e VIA-s dhe 2A Group për masën e sigurimit që kishte pezulluar të drejtat e MABCO-s. Objekti i asaj çështjeje ishte pikërisht përjashtimi i MABCO-s nga shoqëria dhe pezullimi i të drejtës së votës dhe i të drejtave që buronin nga kuotat e saj.
MABCO reagoi duke kallëzuar gjyqtaren Naka në SPAK dhe pretendoi se vendimi ishte marrë vetëm 24 orë përpara asamblesë ku pritej zëvendësimi i Vegim Hoxhës. Kompania e cilësoi atë në atë kohë si “kontradiktor, të pakuptimtë dhe në kundërshtim të hapur me dispozitivin e Gjykatës së Lartë”.
Vetë masa e 5 qershorit u dobësua më pas edhe nga Shkalla e Parë. Më 6 korrik, pas kërkesës së MABCO-s, gjykata e zëvendësoi atë me një masë shumë më të kufizuar: ndalimin që VIA dhe organet e saj të bëheshin palë, garantuese apo të përfshiheshin në marrëveshjen e financimit mes MABCO Construction dhe Delphos Securities deri në përfundimin e gjykimit.
Pacolli e paraqiti vendimin si një tjetër fitore të MABCO-s në betejën gjyqësore për aeroportin.
“Fitorja e radhës e MABCO-s ndaj padrejtësive! Po ashtu jam i lumtur që maskat po bien”, shkroi ai, duke shtuar se çështja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës tashmë “ka marrë përmasa të mëdha dhe po përfundon në arbitrazh ndërkombëtar, çka po sjell kosto jashtëzakonisht të larta ligjore”.
Sipas Pacollit, vendimi i Nakës kishte pasoja të drejtpërdrejta mbi përfundimin e projektit.
“Sot edhe Gjykata e Apelit e Tiranës e hodhi poshtë vendimin e nxitur, të jashtëligjshëm dhe të shëmtuar të Miriana Nakës, që shkaktoi bllokimin e hyrjes në terminal për të përfunduar punimet dhe për të certifikuar veprën”, shkroi ai.
Pacolli e lidhi vendimin e fundit me atë të Gjykatës së Lartë të 26 majit, duke përmendur edhe gjyqtarët që më parë kishin marrë vendime kundër MABCO-s. Për biznesmenin kosovar, seria e vendimeve të rrëzuara është argument se kompania është penguar padrejtësisht në ushtrimin e të drejtave të saj.
“MABCO po i përballon këto dëme dhe kosto për të mbrojtur të drejtat dhe investimin e saj, por në fund qëllimi i saj vijon dhe mbetet një: përfundimi i ndërtimit të kësaj vepre me rëndësi kombëtare”, deklaroi Pacolli.
Por beteja tashmë nuk zhvillohet vetëm në gjykatat shqiptare. MABCO ka aktivizuar mekanizmin e arbitrazhit ndërkombëtar, ndërsa arbitri i emergjencës ka vendosur masa për ruajtjen e status quo-së derisa mosmarrëveshja të trajtohet nga tribunali. Pikërisht për këtë arsye, çdo vendim i gjykatave shqiptare mbi administrimin, kuotat dhe kontrollin e VIA-s tashmë mund të ketë peshë edhe në betejën ndërkombëtare mes investitorit dhe shtetit shqiptar.
Pacolli thotë se MABCO kërkon ende të përfundojë aeroportin dhe ta vendosë atë në funksion.
“A do të lejohemi të përfundojmë punimet dhe të vendosim në operim këtë vepër të rëndësishme për popullin shqiptar në mbrojtje të interesit publik?”, pyeti ai, duke shtuar se “çdo ditë vonesë sjell dëme të reja dhe është në dëm të interesit publik”.
Por reagimi i Pacollit nuk u ndal te gjykatat. Ai kërkoi hetimin e personave që MABCO i konsideron përgjegjës për nisjen dhe përshkallëzimin e konfliktit, duke përmendur ish-administratorin e VIA-s Valon Lluka, Valon Ademin, noteren Valbona Selimi dhe administratorët Vegim Hoxha e Bujar Ejupi.
Vendimi i Apelit është një hallkë tjetër në zinxhirin e atyre që fillimisht e nxorën MABCO-n jashtë kontrollit të aeroportit dhe më pas u rrëzuan nga shkallët më të larta të gjyqësorit. Por ndërsa vendimet mund të rrëzohen me muaj vonesë, pasojat e tyre nuk zhbëhen po aq lehtë. Aeroporti mbeti i bllokuar në fazën përfundimtare të punimeve dhe në tavolinë nuk është vetëm përplasja mes ortakëve, por edhe përgjegjësia e shtetit shqiptar.
