Flash

2025, një në pesë të punësuar në Shqipëri punoi pa pagesë

Lapsi.al 23 June 2026

Tregu i punës në Shqipëri vijon të karakterizohet nga pesha e lartë e punësimit pa pagesë dhe informalitetit, pavarësisht rënies së lehtë të papunësisë gjatë vitit 2025.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT sot, vitin e kaluar numëroheshin 1.17 milionë të punësuar mbi moshën 15 vjeç, 0.4% më pak se një vit më parë. Megjithatë, struktura e punësimit tregon se një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve nuk kanë një marrëdhënie të rregullt pune me pagë.

Vetëm 48% e të punësuarve rezultojnë të jenë të punësuar me pagë, ndërsa 30.9% janë të vetëpunësuar. Një tjetër kategori 21.1% klasifikohen si punëtorë pa pagesë në biznesin familjar, çka do të thotë se më shumë se një në pesë të punësuar punojnë pa marrë një pagë.

Fenomeni prek veçanërisht gratë. Sipas Anketës së Forcave të Punës, 29.3% e grave të punësuara rezultojnë të jenë punëtore pa pagesë në biznesin familjar, kundrejt 14.4% të burrave. Kjo do të thotë se gratë kanë rreth dy herë më shumë gjasa se meshkujt të punojnë pa pagesë.

Informaliteti mbetet një tjetër dobësi. Në vitin 2025, punësimi informal në sektorin jo-bujqësor ishte 21.8%, që do të thotë se më shumë se një në pesë të punësuar në këta sektorë nuk paguajnë sigurime. Megjithëse treguesi ka rënë me 2.9 pikë përqindje krahasuar me vitin 2024, niveli mbetet i konsiderueshëm.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se bujqësia vijon të luajë rol të rëndësishëm në punësim. Sektori bujqësor përfaqëson 33.8% të të punësuarve, ndërsa shërbimet 46.9%. Pothuajse gjysma e të punësuarve 45.3% janë të përqendruar në grupin e “punonjësve të kualifikuar” në bujqësi dhe tregti.

Një pjesë e rëndësishme e punësimit lidhet edhe me personat në moshë pensioni. Numri i të punësuarve mbi 65 vjeç u rrit në 130,274 persona nga 119,862 një vit më parë. Sipas metodologjisë së Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), shumica e tyre janë të vetëpunësuar në bujqësi dhe konsiderohen të punësuar edhe kur prodhojnë kryesisht për vetë-konsum.

Nga ana tjetër, treguesit e papunësisë vijuan të përmirësohen lehtësisht. Numri i të papunëve zbriti në 107,548 persona, ndërsa shkalla zyrtare e papunësisë u ul në 8.4%, nga 8.5% një vit më parë. Megjithatë, papunësia mbetet më e lartë te gratë (9.7%) sesa te burrat (7.3%).

Papunësia e të rinjve 15-24 vjeç ishte 21.5%, ndërsa 72.7% e të papunëve rezultojnë të jenë në kërkim të punës prej më shumë se një viti, duke treguar se papunësia afatgjatë mbetet një sfidë e rëndësishme për tregun shqiptar të punës. /Monitor 

 

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI