
Kryesia e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka rikonfirmuar mbështetjen për protestat paqësore të studentëve, duke theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar nga Kushtetuta. Në një deklaratë zyrtare, Sindikata bën të ditur se mbështet zhvillimin e protestave në ditët dhe oraret e përcaktuara nga vetë studentët, konkretisht të mërkurën dhe të shtunën. Njëkohësisht, Sindikata u kërkon drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë të bëjnë rregullimet e nevojshme në strukturën e vitit akademik, në mënyrë që protestat të mos cenojnë procesin mësimor.
Ajo thekson se vijimi normal i mësimdhënies ka rëndësi, por po aq e rëndësishme është edhe e drejta e studentëve për t'u dëgjuar. Në përfundim, Sindikata shprehet se do të ndjekë nga afër zbatimin e këtyre rregullimeve dhe është e gatshme të bashkëpunojë me drejtuesit e universiteteve, për të garantuar që as studentët dhe as personeli akademik të mos penalizohen për shkak të ushtrimit të së drejtës kushtetuese për protestë.