
Ndërkohë që Policia e Shtetit shpërfaqi sot një dhunë kafshërore ndaj të rinjve dhe të rejave që protestonin përpara Ministrisë së Arsimit, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, bëhet akoma më qesharak me reagimin e tij.
Me një gjuhë të denjë për ambasador të OSBE-së, Demo bën thirrje për uljen e tensioneve. Ministri tregon empati për policët e lënduar, por jo për studentët e gjakosur.
Lexoni më poshtë deklaratën e plotë dhe skandaloze të Ervin Demos.
Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar.
U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë, dhuna nuk justifikohet.
U uroj shërim të shpejtë efektivëve të plagosur. Ata dhe familjet e tyre kanë mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë.
Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore dhe duke vepruar me profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin.
Në këto momente, përgjegjësia e secilit është të kontribuojë në uljen e tensioneve.