
Nga qelia e paraburgimit të Durrësit, Erjon Veliaj është shfaqur i ngazëllyer për humbjen e Vuçiçit dhe për fitoren e studentëve në Beograd. Një ngazëllim që nuk është aq për popullin serb, se sa për paralelet që po hiqen orët e fundit në Tiranë, për një efekt të mundshëm domino, ku radhën e përzënies nga pushteti, e ka Edi Rama.
I tillë tingëllon edhe mesazhi i Veliajt në rrjetet sociale, kur shkruan "Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate".
Një fjali e tillë në Partinë Socialiste, e thënë në këto ditë "lufte" tingëllon si herezi. Shumëkush në grupin parlamentar do të kishte probleme nëse do ta artikulonte me zë të lartë. Por për Erion Veliajn që gjendet i mbyllur në një qeli me 13 akuza mbi supe, një problem më shumë e një më pak, nuk bën më asnjë diferencë. Mesazhi i plotë i kryebashkiakut të Tiranës më poshtë:
"Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit! Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate. Urime të përzemërta edhe shqiptarëve tanë në Serbi, të cilët, sipas projeksionit aktual, e rrisin përfaqësimin e tyre nga një në dy mandate. Një zë më i fortë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi!