
Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Vlorës, për djegien e një automjeti. Ngjarja u regjistrua një muaj më parë në lagjen “1 Maji” të Vlorës rreth orës 01:20. Fillimisht djegia u raportua si aksidentale për shkak të një defekti teknik në motorin e automjetit, por hetimet nxorën në dritë se makina ishte djegur qëllimisht.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të veprimeve hetimore të kryra në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 22.09.2026, rreth orës 01:20, në lagjen “1 Maji”, Vlorë, ku u dogj automjeti në pronësi të shtetases S. N., organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Order”.
Fillimisht, ngjarja u raportua si aksidentale për shkak të një defekti teknik në motorin e automjetit, por nga veprimet intensive hetimore u zbulua se automjeti ishte djegur qëllimisht. Në kuadër të operacionit u arrestuan shtetasit R. K., 33 vjeç dhe T. K., 36 vjeç, të banues në Vlorë, pasi dyshohet se shtetasi R. K. ka porositur shtetasin T. K., për djegien e automjetit në pronësi të shtetases S. N., 50 vjeçe, banuese në Vlorë.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.