Flash

Dinamo trembi Pafos në Qipro, por lamtumirë Europë: Daja u dorëzua vetëm në kohët shtesë

Dinamo ishte vetëm pak minuta larg një tjetër historie europiane. Pas 1-1 në Elbasan, blutë shënuan të parët në Qipro dhe arritën të barazonin në fund të kohës së rregullt, duke e çuar sfidën në shtesë.

Lapsi.al 27 August 2026

Dinamo ishte vetëm pak minuta larg një tjetër historie europiane. Pas 1-1 në Elbasan, blutë shënuan të parët në Qipro dhe arritën të barazonin në fund të kohës së rregullt, duke e çuar sfidën në shtesë. Por në 30 minutat e fundit Pafos goditi dy herë dhe mbylli ëndrrën e skuadrës së Ilir Dajës. Blutë kaluan dy herë në avantazh, por Pafos përmbys gjithçka në 120 minuta dhe fiton 4-2. Një tjetër aventurë europiane përfundon me dhimbje.

Blutë e nisën me avantazh

Dinamo shkoi në Qipro me një objektiv të qartë: të merrte atë që i mungoi në Elbasan. Dhe starti ishte perfekt. Vetëm tetë minuta i mjaftuan Fadairos për të goditur dhe për t’i dhënë bluve avantazhin.

Por festa zgjati vetëm pesë minuta. Sema barazoi për Pafos dhe ndeshja u kthye në një betejë të hapur, ku çdo gol mund të ndryshonte fatin e kualifikimit.

Nga përmbysja te reagimi

Pafos goditi sërish në minutën e 78’ me Ioannou dhe dukej se po merrte kontrollin e kualifikimit. Por Dinamo nuk u dorëzua. Në minutën e 87’ erdhi barazimi dhe bashkë me të edhe 30 minuta të tjera për të vendosur gjithçka. Ishte momenti kur karakteri duhej të bënte diferencën. Por shtesa u kthye në makth për skuadrën shqiptare.

Në minutën e 116’, Quina realizoi golin e tretë për Pafos. Dinamo kërkoi edhe një reagim të fundit, por në minutën e 121’ Anderson Silva vulosi rezultatin 4-2 dhe mbylli përfundimisht rrugëtimin europian të bluve.

Një eliminim që nuk fshin atë që u ndërtua

Dinamo largohet nga Europa pas një përballjeje ku nuk iu dorëzua kundërshtarit deri në sekondat e fundit. Dy herë e gjeti veten në vështirësi dhe dy herë u rikthye në lojë. Por në futbollin europian, 120 minuta kërkojnë përqendrim deri në frymën e fundit. Pafos e pati atë qetësi në momentet vendimtare, ndërsa Dinamos i mbetet eksperienca e një aventure që mund të shërbejë si bazë për të ardhmen.

Ëndrra u mbyll në Qipro, por kjo është pikërisht Europa: një betejë ku diferencën shpesh e bën një gol, një episod dhe ndonjëherë edhe një minutë e vetme.

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI