
Ben Affleck ka folur me humor për aftësitë prindërore të ish-bashkëshortes së tij, Jennifer Garner, duke pranuar se ajo vendos një standard të lartë në rritjen e tre fëmijëve të tyre.
Aktori 54-vjeçar e cilësoi Garner si një nënë të jashtëzakonshme, duke bërë shaka se, pavarësisht përpjekjeve të tij, nuk arrin të jetë në të njëjtin nivel me të.
“Nëna e tyre është e mrekullueshme dhe gjithmonë më bën të ndihem sikur nuk po bëj mjaftueshëm”, u shpreh Affleck në një intervistë për emisionin “Sunday TODAY with Willie Geist”, nga i cili janë publikuar paraprakisht disa fragmente.
Aktori tregoi se u thotë fëmijëve të tij se mendon të jetë rreth 75% po aq i mirë sa e ëma në rolin e prindit. Megjithatë, sipas tij, përgjigjja e tyre nuk është edhe aq inkurajuese.
“Dhe ata më thonë: ‘Ndoshta 40%’”, rrëfeu ai me të qeshur, përpara se të shtonte me humor: “Po jap maksimumin. Nota ime është B+!”
Ben Affleck dhe Jennifer Garner kanë tre fëmijë së bashku: Violet, 20 vjeçe, Fin, 17 vjeç, dhe Samuel, 14 vjeç. Çifti u nda në vitin 2015, pas rreth një dekade martesë, ndërsa divorci u finalizua në vitin 2018.
Pavarësisht ndarjes, dy aktorët kanë ruajtur një marrëdhënie të mirë për hir të fëmijëve dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë në rritjen e tyre.
Affleck ka treguar më herët se fëmijët qëndrojnë një javë me të dhe javën tjetër me nënën e tyre. Ai përpiqet të kalojë kohë me ta pas punës, duke i marrë nga shkolla dhe duke ngrënë darkë së bashku, kur ata dëshirojnë të qëndrojnë me të.
Aktori theksoi gjithashtu se respekti i ndërsjellë është çelësi i një marrëdhënieje të shëndetshme mes prindërve edhe pas divorcit.
“E respektoj dhe jam mirënjohës për të”, tha ai për ish-bashkëshorten, duke shtuar se gjëja më e rëndësishme është të ruash respektin dhe të arrish të shkosh mirë me personin me të cilin ke fëmijë.
Edhe Jennifer Garner ka folur me vlerësim për rolin e Affleck si baba. Në qershor, me rastin e Ditës së Baballarëve, aktorja ndau një mesazh në rrjetet sociale, ku shprehu gëzimin e saj kur sheh dashurinë që fëmijët kanë për të atin.
“Kur shoh se sa shumë i përkushtohen fëmijët e mi babait të tyre, kjo më bën të lumtur për ta. Të duash dhe të të dojë një baba i mrekullueshëm është një dhuratë”, shkroi ajo.
Pas ndarjes nga Garner, Affleck u martua me këngëtaren Jennifer Lopez në vitin 2022. Megjithatë, edhe kjo martesë përfundoi me divorc, i cili u finalizua në fillim të vitit 2025.