
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e së hënës, 12 tetor, në një shkollë në qytetin Aubagne, në jug të Francës, ku të shtënat me armë zjarri kanë plagosur drejtorin e institucionit dhe një mësues. Për ngjarjen është arrestuar një 14-vjeçar, i dyshuar si autori i sulmit.
Sipas televizionit francez BFMTV, incidenti ndodhi në shkollën Joseph-Lakanal, në rajonin Bouches-du-Rhône, pranë Marsejës. Mediat franceze raportojnë se janë dëgjuar të paktën katër të shtëna me armë zjarri.
Drejtori 53-vjeçar i shkollës u plagos në këmbë nga predha të një pushke, ndërsa një mësues 37-vjeçar u godit në kofshë nga një plumb që kishte bërë rikoshet.
Pas alarmit, në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilat u dhanë ndihmën e parë dy të plagosurve. Sipas një burimi të cituar nga BFMTV, jeta e tyre nuk është në rrezik.