
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ka komentuar progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë. Ajo nënvizoi se dokumenti evidenton problematika që lidhen me korrupsionin, funksionimin e institucioneve, lirinë e medias dhe shtetin e së drejtës.
Sipas saj, raporti kërkon më shumë Evropë dhe një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si funksionon shteti shqiptar.
“Nuk ka fonde të BE-së pa institucione dhe pa vlerat e BE-së. IPARD është shembulli më i mirë i kësaj”, tha Tabaku.
Sipas Tabakut, progres-raporti shpreh qartë shqetësimet për korrupsionin dhe mungesën e vullnetit politik për ta luftuar atë në mënyrë efektive.
“Për çështjet e korrupsionit, qeveria ka vullnetin politik për t’u bërë avokati publik dhe juridik i korrupsionit. Në lidhje me lirinë e medias, ku të gjithë ju jeni dëshmitarë të dorës së parë dhe keni qenë vetë objekt i dhunës, raporti shpreh dukshëm regres”, tha Tabaku. Tabaku tha se Shqipëria ka nevojë për reforma të thella në funksionimin e institucioneve dhe jetës politike.
“Sot Shqipëria ka nevojë për një reformë tërësore se si funksionon shteti. Ka nevojë për një reformë zgjedhore, për një dialog të mirëfilltë politik, që Parlamenti së pari të besojë te barazia para ligjit dhe së dyti që qytetari që arrestohet dhe merret zvarrë nëpër rrugë të trajtohet njësoj me zyrtarin që përfshihet në korrupsion, por fatkeqësisht i jepet mbrojtje politike. Shqiptarët që janë në shesh kërkojnë më shumë Evropë. Progres-raporti kërkon më shumë Evropë. Në të gjitha kërkesat e tij, progres-raporti kërkon që të ndryshojë mënyra se si funksionojnë institucionet”, u shpreh Tabaku.